Sa herë u jepet rasti dhe sa herë përmendet emri i Bashar Al Asasit, mediat pro qeveritare botojnë një foto ku Sali Berisha duket në krah të diktatorit siran. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë, pasi ish-kryeministri ka përshëndetur sulmet e vendeve të perëndimit ndaj Sirisë. Kuptohet qartë analogjia që kërkohet të bëhet dhe përshtypja që mëton të krijohet.

Por, mjafton një kërkim i shpejtë për të kuptuar të vërtetën. Pas klishesë ku duket portreti i Asadit ngjitur me atë të Berishës ka një histori.

Lapsi.al ka qëmtuar edhe foto të tjera. Dhe ato tregojnë “manipulimin” e fotos që serviret në Shqipëri. Aty Sali Berisha gjendet mes një tufe të madhe krerësh shtetesh, si ish-diktatorët egjiptianë dhe tunizianë Mubarak dhe Ben Ali, finlandezia Tarja Halonen, presidenti rumun Trajan Basesku dhe sekretari i përgjithshëm i OKB Ban Ki Moon.

Është viti 2008 dhe ata janë ftuar nga Nicolas Sarkozy për të marrë pjesë në tribunën e parakalimit tradicional që kryhet në bulevardin Champs Elyse me rastin e festës kombëtare të Francës, 14 korrikut. Nga fotot e tjera duket qartë se nuk ka asnjë lidhje mes pamjeve reale dhe imazhit që kërkohet të shitet në Tiranë. /Lapsi.al/