Deputetja e PD-së Grida Duma është mes deputetëve që po protestojnë bashkë me qytetarët përpara Apelit të Shkodrës dhe kërkojnë lirimin e 11 protestuesve të arrestuar.

Në prononcimin e saj për mediat, deputetja Duma tha që sot protestuesit po gjykohen për së dyti të gjithë ata që i bënë nder shqiptarëve duke ndaluar taksën e Rrugës së Kombit.

“Sot është momenti që të japim mbështetjen politike për një drejtësi e cila duhet t’i bëjë nder vetes e të nderojë këta burra që i kanë bërë mirë vendit. Sot është dita që të tregohet që drejtësia nuk është nën presionin politik të ndëshkimit. Se ç'do të ndodhë në vijim varet nga vendimmarrja e drejtë ndaj protestuesve”, thotë ajo.