Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Florian Xhudi është kërcënuar me armë nga dy persona të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Memaliaj – Ballsh mbrëmjen e së enjtes, kur Xhudi po kthehej nga Tepelena ku mori pjesë në një aktivitet partiak të PD-së.

Denoncimi është bërë sot nga deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i cili në një deklaratë për mediat nga selia blu dha detaje të ngjarjes.

“Në aksin Memaliaj – Ballsh, mjeti me të cilin udhëtonte Florian Xhudi, u ndalua nga një automjet tjetër ku ishin dy persona ta paidentifikuar. Pasi i zunë rrugën në një vend të pandriçuar, njëri prej tyre i vendosi pistoletën në kokë duke e sharë dhe duke e paralajmëruar të mos kthehej më në Tepelenë. U përpoqën ta zbrisin nga makina, fatmirësisht aty kaloi një makinë tjetër”, tha Alibeaj.

Deputeti demokrat bëri me dije se Florian Xhudi bëri denoncim në Komisariatin e Policisë së Fierit lidhur me këtë ngjarje.

Sipas Alibeajt, Partia Demokratike nuk e denoncoi ngjarjen të enjten, me qëllim që policia të kishte kohë të zbardhte kërcënimin e përfaqësuesit të saj. “Por deri tani, rezultati i vetëm është se autorët janë larguar në drejtim të paditur”, u shpreh më tej Alibeaj.