Masat antikorrupsion që kanë ndërmarrë qeveria kanë nisur të japin rezultatet e para konkrete. 25 punonjës të administratës publike, përkatësisht të ZRPP dhe ALUIZNI-t janë dërguar për ndjekje penale vetëm gjatë periudhës 16 prill – 30 maj 2018, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit.

Gjatë takimeve të zhvilluara në njësitë administrative Orikum dhe Qendër në qarkun e Vlorës në kuadër të turit të llogaridhënies, "Puna për Shqipërinë që duam", ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka ndarë me banorët e këtyre zonave masat e marra dhe rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit.

"Që nga 16 prilli deri në 30 maj, pra në një periudhë 1 muaj e gjysmë janë dërguar për ndjekje penale 25 zyrtarë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t. Pra vetëm në 1 muaj e gjysmë janë marrë masa represive duke përfshirë që nga regjistruesit dhe deri te punonjësit më të thjeshtë", thotë Gjonaj.

Ministrja iu ka kërkuar banorëve që jo vetëm të mos pranojnë të japin ryshfet, por të denoncojnë çdo rast kur punonjësit e administratës u kërkojnë shpërblim për shërbimet publike që ua garanton shteti pa pagesë.

"Ju lutem mos pranoni të jepni ryshfet dhe ju lutem përsëri, zyrtarisht dhe personalisht: Denoncojini rastet e korrupsionit. Nuk tolerohet as edhe një".