Në mesin e tetorit të këtij viti u bë publike dosja e bandës së trafikut të drogës së Habilajve, ku në njërin nga përgjimet përmendej edhe emri i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Pasi lajmi doli në media dhe pasi autoritetet italiane e sollën dosjen në Shqipëri, prokuoria e krimeve të rënda dorëzoi në Kryesinë e kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit, për t’i hapur rrugë hetimi pasuror, si dhe arrestimin e Tahirit.

Por mazhoranca, pas debateve të shumta lejoi vetëm hetimin dhe veprimet e tjera proceduriale ndaj Tahirit, por i tha ‘jo’ arrestimit të tij. Pak ditë pas lejes së Kuvendit bëri edhe një bastisje në shtëpinë e Tahirit duke kërkuar për prova, edhe pse vetë ky institucion e cilësoi si një veprim disi të vonuar. Kur duket se çështja ‘Tahiri’ po binte në qetësi, duke u ndihmuar edhe nga mazhoranca të sfumohej, del në skenë Orest Sota.

Ky i fundit u kap më 860 mijë euro në makinë si dhe 2 patenta skafi të ish-ministrit Tahiri. Vetë Sota u shpreh se paratë i kishte për të blerë hekur, ndërkohë që nuk e justifikonte shumën e madhe që posedonte në makinë. Ndërsa për patentat e Tahirit ai u shpreh se i kishte harruar aty shoferi i tij, ndërkohë që nga opozita erdhën akuza se edhe paratë i përkisnin ish-ministrit, akuza e cila u aludua edhe nga prokuroria. Më vonë rezultoi se Sota kishte njohje me Tahirin. Ndërsa ditën e sotme dolën detaje të reja të cilat tregonin se si Orest Sota shkëmbente mesazhe me bashkëshorten e Tahirit, për disa tendera në Ministrinë e Brendshmë, fakte të cilat kanë ngritur dyshimet se Sota shërbente si sekser i ish-ministrit të Brendshëm.

Rreth një muaj më vonë, edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda e kishte nën hetim ish-ministrin e Brendshëm ai largohet jashtë shtetit për në Gjermani. Arsyeja që u dha nga vetë Tahiri ishte ajo e një problemi shëndetësor me të atin, por nga të dhënat që Lapsi.al siguroi nga sistemi TIMS, dëshmohet se ky shpjegim ishte një gënjeshtër. Nga të dhënat në sistem rezultoi se Bashkim Tahiri, doli jashtë Shqipërisë në fund të muajit tetor, në datën 29 dhe u kthye në fillim të nëntorit, në datën 3.

Ndërkohë, udhëtimi tre-ditor i Saimir Tahirit është bërë dy javë më pas, në një periudhë kohe që nuk ka asnjë lidhje me ndërhyrjen kirurgjikale të babait të tij. Po ashtu ajo çka ia shtoi dyshimet udhëtimit të Tahirit drejt Gjermanisë ishte fakti se ai kishte udhëtuar me një ish-vartës të Ministrisë së Brendshme. Aso kohe Rama tha se Tahiri nuk mund të udhëtojë jashtë vendit, sepse parlamenti ka votuar për bllokimin e lëvizjes së tij jashtë vendit, por u vërtetua se diçka e tillë nuk ishte e vërtetë. Përballë këtyre fakteve dhe ndonëse e kishte nën hetim se kishte aluduar se Tahiri mund të ndikonte tek provat apo të arratisej, Prokuroria e Krimeve të Rënda sërish nuk veproi, por priti ditën e sotme për të bllokuar pasaportën e Tahirit.

Ka qenë vendimi i gjykatës ai që ka bllokuar pasaportën dhe kartën e identitetit të shtetasit Saimir Tahiri, pas një kërkese të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Këta të fundit e ndërmorën këtë hap pasi gjetën prova të reja në celularin e Orest Sotës, ku biznesmeni kishte shkëmbyer sms me bashkëshorten e ish-ministrit për disa tendera në Ministrinë e Brendshme. Ndonëse shkëmbimi sms-ve të Sotës me bashkëshorten e Tahirit nuk duken si motiv i mjaftueshëm për bllokimin e pasaportës krahasuar me vizitën e papritur të Tahirit në Gjermani, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur ta ndërmarrë këtë hap sot nisur, sipas tyre, pikërisht nga këto prova të reja.

Vlen të përmendet këtu edhe fakti se kjo lëvizje vjen pikërisht në të njëjtën ditë që në Shqipëri zbriti ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando. Vizita e këtij të fudnit vjen rreth një muaj pas vizitës së ministrit të Brendshëm italian në Shqipëri dhe sipas informacioneve, Orlando do të kërkojë informacione për zhvillimin e hetimeve për dosjen e lënë në Tiranë nga kolegu i tij, ministri i Brendshëm Marco Minitti. Kjo dosje ka të bëjnë kryesisht me trafikun e drogës nga brigjet shqiptare drejt Italisë, trafik në të cilin përfshihet edhe Habilaj, si dhe ku dyshohet se është përfshirë edhe ish-ministri Tahiri.

Në këtë logjikë, duket sikur kjo lëvizje për bllokimin e pasaportës duket më shumë si një ‘dhuratë’ ndaj ministrit italian të Drejtësisë për të treguar se drejtësia shqiptare po bën diçka me çështjen ‘Tahiri’, çështje e cila erdhi pikërisht nga autoritetet italiane. Ndërsa Tahirit i duhet t’i anulojë planet për të udhëtuar jashtë vendit për ca kohë, pasi është i “burgosur” brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Marrë nga "Lapsi.al"