Posedimi i postit të deputetit të Kuvendit, në vendin tonë të jep "shumë të drejta" aq shumë sa edhe nëse shkel ligjin nuk të ndodh asgjë.

Shqiptarja.com ka publikuar se deputeti i Partisë Socialiste, Ismet Beqiraj, ka përfituar një apartament banimi në Ballsh, me vlerë 1 850 787 lekë, duke marrë një kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave. Zakonisht, kreditë nga Enti Kombëtar i Banesave përfitohen me statusin e të pastrehut.

Por, deputeti deklaron edhe një apartament tjetër banimi në bashkëpronësi me vëllain, në Durrës si dhe një apartament banimi me sipërfaqe 91 m2, në Tiranë, me vlerë 31 100 USD.

Për apartamentin e fundit, si burim, deputeti deklaron 6 100 USD nga të ardhurat personale nga puna si dhe 22 000 USD dhuruar nga vëllai, i cili merret me aktivitet ndërtimi.

Ismet Beqiraj deklaron gjithashtu pagën e tij si pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pagën e bashkëshortes Nadire Beqiraj si specialiste pranë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, pagën e vajzës Erinda Beqiraj pranë Fondit të Detyrueshëm të Sigurimit Shëndetësor, pagën e vajzës tjetër Ervisa Beqiraj pranë Credins Bank si dhe pagën e vajzës tjetër Ina Beqiraj si specialiste në Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit në Postën Shqiptare.