*Prag 2018-ta, lirohen vendet e drejtorëve në bashkinë e Durrësit. Ikën shefja e financave dhe i tatim taksave.

E konsideruar “llogaritarja e hekurt” e bashkisë së Durrësit e cila ka mbajtur çelësat e financës për më shumë se dy dekada, Drita Aliko pritet të dalë në pension në vitin 2018. Shefja e finacës së bashkisë së Durrësit e cila ka hartuar politikat e zhvillimit ekonomik, ka hartuar buxhetet e bashkisë për vite me radhë, duke matur pulsin e duke parashikuar taksat, tatimet, shpenzimet, duke planifikuar investimet e duke i vënë ato në zbatim. Dritën, për dekada me radhë e kemi parë në bashki, në çdo mbledhje të këshillit bashkiak ka qenë aty për të shpjeguar me detaje çdo lëvizje që parashikonte buxheti i bashkisë Durrës. 

Edhe drejtori i Tatim -Taksave në bashki Abdyl Koka, i cili është edhe një ekonomist po aq i zoti pritet të dalë në pension me mbushjen e moshës në fillim të vitit 2018.

Abdyl Koka është një nëpunës i vjetër i administratës, i cili përveçse në bashki ka punuar edhe në OSHEE vitet e fundit. Prej disa vitesh Kokës i ishin dorëzuar çelësat e mbledhjes së taksave në bashkinë e Durrësit.

Nuk dihet nëse në pension do të dalë edhe shefi i kabinetit të bashkisë Lavdosh Beqiraj, i cili është edhe krahu i djathtë i kryebashkiakut Vangjush Dako. Lavdosh Beqiraj në detyrën e shefit të kabinetit erdhi që në ditët e para të mandatit të parë të kreut të bashkisë.

Në bashkinë e Durrësit çdo kryetar ka patur stafin e tij kur ka marrë detyrën e të parit të qytetit, por administrata nuk ka lëvizur nga puna.