Deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur seancën plenare të kësaj së enjte, pasi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi nuk i dha fjalën ish-kryeministrit Berisha.

Duke folur nga jashtë parlamentit, Berisha tha se socialistët penguan disa vite më parë statusin e vendit kandidat duke mos votuar tre ligjet, ndërsa ka kërkuar sërish që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri të nxirret jashtë Parlamentit.

"Të nxirret Tahiri jashtë Parlamentit, dhe të sillen këtu Habilajt e Balilajt. Se këtë bënë sot, Rama futi Tahirin në Parlament për kremtimin e rekomandimit. Ky paranojak halucinant, mendon se ky proces të cilin e shtyu në mënyrën më të pamerituar për shqiptarët, është vepër e tij. Në fakt shtyrja dhe pasiguria janë veprat e tij. Rekomandimi për hapjen e negociatave, nis me firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, me firmosjen e kërkesës dhe pranimin e Shqipërisë në rrugën e vendit anëtar të BE, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, me heqjen e vizave, me rekomandimin e KE në 2012-2013, që e bllokoi. Në të gjitha këto ngjarje, Rama ka qenë kategorik kundër. Ka futur bilbilat në Parlament për ta bllokuar marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit."