PD flet sërish për çështjen e drogës. Nga selia blu, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj doli sot në një deklaratë për mediat nga ku dha detaje nga raporti i fundit i Europolit.

Alibeaj u shpreh se Europol e konfirmoi se Shqipëria vazhdon të mbetet burimi kryesor i trafikut të kanabisit në Bashkimin Europian.

Alibeaj vazhdon duke thënë se Shqipëria mund të ishte një vend mikpritës i biznesit, si dhe një negociator për anëtarësim në BE, por në fakt është shndërruar në një burim droge.

"Raporti i tij thotë se:

1.     Tregu i drogës në Bashkimin Europian është 24 miliardë euro,

2.     Se kanabisi përbën pjesën më të madhe të tregut që kontrollohet nga organizitatat kriminale,

3.     Se Shqipëria është burim kryesor i trafikut të kanabisit dhe

4.     Dhe se pastrimi i parave nga tregtia e drogës është rritur. 

Raporti i EUROPOL rikonfirmon se nuk është opozita ajo që po i nxin faqen vendit, por është qeveria e Edi Ramës që ka lejuar dhe ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Europës", tha Alibeaj.

Sipas tij, "Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Europian janë arsyeja kryesore që Shqipërisë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave".

"Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë", përfundoi deputeti i PD-së.