Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur mbrëmjen e kësaj të shtune kryesinë e partisë, lidhur me ndryshimet statutore që pritet të bëhen.

Grupi i punës i caktuar më herët për të mbledhur rekomandimet dhe propozimet, po i prezanton ato para anëtarëve të kryesisë. Dokumenti në fjalë, prej disa pikësh u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani.

Por anëtari i kryesisë Arben Imami ka shprehur rezerva për draftin. Ai e ka lënë mbledhjen pasi është shprehur se duhet garantuar dorëheqja e kryetarit në rast të humbjes në zgjedhje.

“Kryetari nuk jep dot përgjigje për gjëra të rëndësishme. Nuk më duket e arsyeshme që kryetari të zgjidhet një herë në çdo 2 vjet siç ka pretenduar ai. Kryetari kur humb zgjedhjet duhet të largohet dhe kjo duhet të jetë e fiksuar mirë. Çdo dy vjet mund të bëhet një verifikim. Duhet të ketë një rregull në statut për mandatin e kryetarit”, tha Imami duke dalë nga PD.