Arrestimi i Moisi Habilajt jo vetëm trazoi politikën dhe mbarsi opinionin publik, por ngriti në këmbë edhe Prokurorinë. Të ‘pafuqishëm’ për ta goditur bandën Habilaj, sa kohë minister i Brendshëm ishte Saimir Tahiri, 72 orët e fundit prokurorët u vunë në lëvizje. “O tani o kurrë”, u tha mes tyre.

Koha për të goditur ministrin që ua kishte sjellë ‘majë hundës’ kishte ardhur. Sikurse ishte momenti për të çuar prapa hekurave zyrtarë të lartë të policisë. Në tavolinën e kryeprokurorit Llalla, thuhet se shefi i SHISH-it la një dosje voluminoze. Të tilla ishin po ashtu dosjet e mbërritura nga Antimafia e Leces

Moisi Habilaj fliste hapur për kushëririn e tij ministër, madje madje ai mburrej para “ushtarëve” dhe bashkëpunëtorëve të tij italianë. “30 mijë duhet ti japin Saimirit…”, “bleva byzylykë të shtrenjtë me diamantë për nënën dhe gruan e tij. Kushtuan nga 4 mijë euro”, “policët të gjithë janë tanët, mund të dalë vetëm ndonjë bastard”, dëgjohej tek thoshte Habilaj, i strukur në makinat e “vockla” jo të denja për “statusin” prej kreu bande dhe milioneri. Faktet flisnin kundra ‘ministrit kampion’ sikurse e pati cilësuar dikur Rama, e sot ‘një dru të shtrembër’ në mesin e socialistëve.

Dhjetra biseda të përgjuara, tonelata drogë të bëra gati për trafikim të sekuestruara në dy-operacione të zhvilluara pas shumë përplasjesh mes policisë e prokurorisë. Parcelat në lumin e Vlorës, konkretisht ato të fshatrave Vezhdanisht e Treblovë, dhe jo vetëm ishin në pronësi të Habilajve. Tetorin e 2016 kur këto parcela u shkatërruan, shumë pak u fol për ta, sepse media dhe jo vetëm, edhe politika që fliste për këtë çështje etiketohej nga kreu i dikasterit blu, si “fronti i së keqes”. Në fund, jo për nga rëndësia vinte makina private AUDI AA 003 GB, që Tahiri tha se ua kishte shitur kushërinjve të dhjetë.

Kokëulur pas 4 vitesh akuza, teksa e kuptoi se u tradhtua dhe shit nga të gjithë, ai e pranoi se kishte bërë gafë. Megjithatë, a ishin këto prova të mjaftueshme për të kërkuar arrestimin e Tahirit? Kjo ishte pyetja që Besim Hajdarmataj u bëri prokurorëve. Kokë me kokë me të besuarit e tij, Hajdarmataj që shpesh ishte sfiduar nga policia, pasi informacionet e tij nxirreshin në treg, apo dekonspiroheshin tek grupet kriminale, analizuan për 5 orë rolin e Tahirit në rrjetin e trafikut ndërkombëtar.

Në fund u vendos: Duhet kërkuar arrestimi. Kërkesa u bë gati dhe ju çua Gramoz Rucit. Zarfi i mbyllur shkaktoi tension. Lajmi mori dhenë. Tahiri ra. Ministrin kampion u deshën vetëm 5 orë për ta rrëzuar.