Kryeministri Edi Rama është shprehur sërish me bindje se audio-përgjimi i pretenduar për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, nuk është i vërtetë.

Duke folur nga Kuvendi, Rama iu bëri thirrje qytetarëve që ta mendojnë dy herë pjesëmarrjen në protestën e opozitës ditën e shtunë, duke u thënë se ky është një skenar i trilluar nga Partia Demokratike.

“Unë ju kam thënë publikisht që kjo është një histori banale dhe audio-përgjimi është pa lidhje fare me personin e akuzuar, po ju them që historia pas audio-përgjimit është akoma më e hatashme.

Janë vetëm aktorë, luajnë rolin. Kam shumë shpresë që do të dalin nga hetimi skenaristët, regjisorët dhe producentët. Ai ditëziu është si ata figurantët e filmave të neorealizmit italian. Historia është shumë herë më serioze se sa duket. Le t’ia lëmë Prokurorisë. Ajo që na duhet, është të vijë përgjigjia e analizës shkencore. Do dalë një tallje e madhe që synon destabilizimin e vendit. Si do ju duket vetja pasi të dilni në protestë kur të mësoni se keni dalë në protestë njësoj siç shkohet në kinema, për të mbushur sallën e kinemasë. Si do ju duket kjo? Zgjedhja është e lirë, secili bën atë që do. Mendojeni njëherë këtë që po ju them që mos t’ju duket vetja të keqpërdorur”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.