Presidenti Ilir Meta u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Admir Bokrinës, njërit prej dy shqiptarëve që humbën jetën në tragjedinë e Xhenovas në Itali.

Kreu i shtetit shkoi në fshatin Oblikë të Shkodrës tek familja Bokrina, ku tha se “nuk kanë fuqi fjalët për të shprehur dhimbjen e ngushëllimin për këtë rast tragjik”.

Duke marrë shkas nga shembja e urës në Xhenova, kreu i shtetit apeloi që edhe veprat publike në vendin tonë duhet të kontrollohen dhe të jenë të sigurta për të parandaluar tragjedi të tilla.

“Tragjedia e Genovas të na ndihmojë të reflektojmë për sigurinë e veprave publike. Duhet të marrim masa të forta për parandalimin e tragjedive të tilla në vendin tonë”, tha Presidenti i vendit Ilir Meta.