Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, ka reaguar ashpër pasi një grup deputetësh demokratë kanë depozituar një projektligj i cili parashikon shfuqizimin e datës 20 shkurt, si dita e përkujtimit të viktimave dhe përkujtimit të komunizmit në Shqipëri.

Ajo rendit 6 pyetje, me anë të të cilave bën përgjegjës kreun e PD, Lulzim Basha.

STATUSI I PLOTË

Partia Demokratike ka depozituar një projektligj të firmosur nga një grup deputetesh, i cili parashikon shfuqizimin e datës 20 shkurt, si dita e përkujtimit të viktimave dhe përkujtimit të komunizmit në Shqipëri, duke kërkuar që kjo datë të jetë data 26 shkurt 1951. Si dita ku u ekzekutuan pa gjyq 22 intelektualë. Kjo ditë kujtohet ndryshe edhe si dita e bombës në oborrin e ambasadës sovjetike. 26 shkurti është një nga shumë data të dhimbshme të diktaturës së egër në Shqipëri. U ekzekutuan 5557 burra dhe 450 gra, 26 768 persona u burgosën, 998 vdiqën burgjeve, 308 persona u çmendën nga torturat, mbi 32000 u internuan dhe u dëbuan, 7002 persona vdiqën në kampet e punës dhe 11 656 persona u arrestuan. Nga këta persona 958 u vranë pa asnjë vendim gjykate.

Ajo që nuk bën sens nuk është siç po duan ta interpretojnë disa media, ndryshimi i një ligji të Sali Berishës me një ligj të Lulzim Bashës. Eshtë mundim i tepërt se këtu s’ka vend e nevojë për ndonjë krahasim.

Ajo që është e turpshme është tallja me dekomunistizimin.

1- Pse duhet shfuqizuar dita simbol e 20 shkurtit? Datat përkujtimore nuk shfuqizojnë njëra/tjetrën.
2- Pse mos të shtohej në ligj edhe data 26 shkurt?
3- A është ky problemi më i madh që ka PD-ja sot?!
4- Pse Lulzim Basha nuk propozon një projektligj për të ndaluar depërtimin në institucionet e shtetit dhe për të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë, bashkë me Vettingun, ata gjyqtarë dhe prokurorë që sot kanë depërtuar edhe në KLGJ e KLP, të cilët mbajnë vulën e dënimeve politike para rënies së komunizmit
5- Në shtator të 2017 Lulzim Basha mori përsipër hartimin e ligjit për ndalimin e përdorimit të simboleve të komunizmit dhe dënimin e atyre që i përdorin, sipas modelit Gjerman?
6. Pse nuk u mor vesh kurrë kush nga grupi antikomunist i Bashes, i dhuroi tre vota Gramoz Rucit që të zgjidhej kryetar Parlamenti?

Shpresoj shumë që dikush nga deputët firmëtarë të jetë ngatërruar pa dashje në vendosjen e firmës për këtë projektligj.

Por kjo nuk lehtëson aspak liderin demokrat, “intelektual”, “progresist” dhe “antikomunist”, Lulzim Basha!
Është akti i radhës të dashur miq.

Kështu nis: hiqen simbolet e Partisë në fushatë;vritet memoria historike e Partisë; shkatërrohet grupi parlamentar; flaket ideologjia; të braktisin shtresat mbështetëse dhe pastaj ngulet tabela në hyrje të selisë së Partisë: “Tokë e zanun! Ndalohet kalimi!”