Zv. kryetari i LSI-së, Luan Rama, ka reaguar pas vendimit të KPK-së për shkarkimin e gjyqtarit të Kushtetueses, Fatos Lulo,  duke bllokuar punën e kësaj gjykate, e cila ka vetëm 5 anëtarë, nga 6 që duhej të kishte minimalisht.

Deputeti i LSI-së Rama fajëson mazhorancën si përgjegjëse për aplikim të dy standardeve ndaj institucioneve te drejtesisë.

"E para nuk ia lejoj vetes të komentoj vendime që marrin trupa kushtetues dhe që kanë mandatin të gjykojnë dhe vlerësojnë mbi gjithë sistemin e drejtësisë. Ajo që unë dua të theksoj përpara jush është kolapsi që gjendet sistemi i drejtësisë për shkak të bllokimit të korumeve ligjore të trupave të vendimmarrjes. Ajo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është paradoksalisht skandaloze.

Ashtu siç është skandaloze gjendja dhe në Gjykatën e Lartë. Në fund të fundit ky është produkti i mungesës së vizionit që në projeksionin e Reformës në Drejtësi, nxitimi për ta perdorur reformën për demagogji dhe ka çuar në këtë produkt dhe kjo është padyshim përgjegjësi e drejtpërdrejt e mazhorancës në rradhë të parë si trupa që ka kartonat e vendimmarrjes. Dhe nga ana tjetër dëshmon se në çfarë situate paradoksale gjendet i gjithë sistemi ynë i drejtësisë", tha ai i pyetur nga mediat.

I pyetur nëse LSI ka ndonjë propozim për zgjidhjen e situatës, Luan Rama tha se ne kemi qenë konsistent dhe të pandryshueshëm që në momentin kur për shkak të LSI, u miratuan ndryshimet kushtetuese dhe paketa e Reformës në Drejtësi që ka në bazament bashkëpunimin, bashkëveprimin parlamentar për të ruajtur frymën e konsensusit dhe të ndërveprimit me transprencë në të gjitha etapat e vendimmarrjes.

“Pretendimi që Vettingu po e bllokon procesin është abuzim, ne kemi qenë të vendosur madje kemi insistuar dhe me hap ligjor që çdo individ kudo ku emërohet apo kudo ku zgjidhet duket të shkojë në detyrë pasi të ketë kaluar procesin e Vettingut. Kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak të shkeljes së Kushtetutës, moszbatimit të ligjit dhe pa dashur tu referohem rasteve konkrete kjo në fakt është sjellja e papërgjegjshmërisë së mazhorancës”, tha Luan Rama.