Partia Socialiste ka kërkuar sërish sot nga lideri i demokratëve që të bëjë transparencë për atë që ajo e quan skandali me tenderin e skanimit të kontenierëve. Deputeti i PS, Ervin Bushati sot në një deklaratë për mediat ka akuzuar edhe Prokurorinë shqiptare që nuk ka nisur hetimet për këtë gjë.

“Prokuroria e Shtetit, me heshtjen e saj, rrezikon të bëhet palë e këtyre aferave. Provat janë këtu, të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë por edhe nga “Bloomberg”, rrjet informativ që ka inkriminuar me emër e mbiemër të gjithë personat e përfshirë në këtë aferë”, tha Bushati.

“Bloomberg”, publikoi gjatë javës, nje shkrim ku thuhej “se si gjysma e shumës së fituar nga tenderi i Skanimit të Kontenierëve u transferua menjëherë nga kompania fituese tek xhepat e Qeverisë Berisha. Bëhet fjalë për më shumë se 100 milionë dollarë të transferuar në prag të zgjedhjeve të 2013”, deklaroi deputeti i PS-së.

REAGIMI I PLOTË:

Prej më shumë se dy javësh tashmë, Lulzim Basha po përpiqet t’i shpëtojë me heshtje dy aferave të jashtëzakonshme korruptive, të denoncuara jo nga ne por nga institucionet dhe nga media amerikane.

Ndonëse gjatë kësaj kohe ka dalë në mënyrë të përditshme në media për të sulmuar qeverinë me lloj-lloj akuzash të sajuara, madje edhe në ditët e përballimit të emergjencës së përmbytjeve, Basha vazhdon të mos thotë asgjë për origjinën e 1 milion dollarëve me të cilat bleu mbështetjen e lobuesve në Uashington.
Janë 1 milion dollarë para të pista, të cilat nuk dihet se nga vijnë dhe as se kush i pagoi. E vetmja gjë që dihet është se ato janë paguar nga parajsat fiskale për t’i shpëtuar deklarimit dhe se nuk janë pjesë e formularit të deklarimit të Partisë Demokratike në KQZ.
Këto nuk janë prova të siguruara prej nesh, por janë dokumente zyrtare të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Nëse Basha e konsideron edhe këtë institucion si “të blerë” nga Partia Socialiste, të paktën të dalë dhe ta thotë në sytë e të gjithë shqiptarëve.
Një tjetër skandal për të cilin Partia Demokratike vazhdon të heshtë, është ai i publikuar në rrjetin prestigjioz të informacionit, “Bloomberg”.
Ky rrjet ndërkombëtar publikoi më parë, gjatë javës, prova të pakundërshtueshme se si gjysma e shumës së fituar nga tenderi i Skanimit të Kontenierëve u transferua menjëherë nga kompania fituese tek xhepat e Qeverisë Berisha.

Bëhet fjalë për më shumë se 100 milionë dollarë të transferuar në prag të zgjedhjeve të 2013, një skandal ky i denoncuar që në atë kohë nga ana e Partisë Socialiste.
Përsëri nuk është qeveria, por një media amerikane ajo që tregon sesi pak muaj pasi fitoi tenderin me vlerë 250 milionë dollarë, kompania amerikane transferoi 49% të aksioneve në një kompani fantazmë të kontrolluar nga Berisha për 490 lekë të vjetra.
Një gjysmë që vlente më shumë se 100 milionë dollarë, e transferuar pa asnjë justifikim, sa për vlerën e një kafeje.
Megjithatë, nëse Partia Demokratike ka zgjedhur të heshtë përsëri, ashtu siç ka bërë edhe me CEZ-in, me Gërdecin, me 21 Janarin apo me sa e  sa skandale të tjera, është e drejta e saj ta bëjë këtë.
Ajo që nuk mund të heshtë është Prokuroria, e cila duhet të kishte nisur me kohë një hetim mbi bazën e këtyre provave të publikuara.
Prokuroria e Shtetit, me heshtjen e saj, rrezikon të bëhet palë e këtyre aferave. Provat janë këtu, të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë por edhe nga “Bloomberg”, rrjet informativ që ka inkriminuar me emër e mbiemër të gjithë personat e përfshirë në këtë aferë.
Është detyra e Prokurorisë që të tregojë se në këtë vend mund të ketë drejtësi.
Ndaj Partia Socialiste i bën edhe një herë më shumë thirrje Prokurorisë që të rikthehet në shërbimin e qytetarëve, e të nisë sa më shpejt hetimet lidhur me këto dy afera korruptive, të cilat për fatin e keq nuk janë të vetmet në “librin e zi të korrupsionit” të Partisë Demokratike.