Partia Demokratike për herë të parë pas shumë kohësh, ka bërë opozitën e vërtetë në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Për çdo pikë të rendit të ditës, por kryesisht në shqyrtim të paketës fiskale për 2018-n, PD dhe LSI në unison i kanë bërë oponencë projekt-vendimeve të paraqitura nga bashkia e Durrësit për miratim.

Fjala e ekspertit të ekonomisë, këshilltarit të PD-së Shkëlqim Fortuzi, i cili solli edhe pretendimet pse PD është kundër aplikimit të taksës së pronës, solli edhe debatet e para në sallë, të cilat vijuan me tone shumë të larta gjatë rreth 3 orëve që vijoi diskutimi.

Fortuzi argumentoi votën kundër të PD-së, për paketën fiskale të bashkisë dhe ndryshimet e destinacionit të fondeve të paraqitura.

Vërejtjet e PD-së:

VËREJTJE  NË LIDHJE ME PROPOZIMET E PARAQITURA PËR NDRYSHIME NË VKB-të NR.468, 469 TE DATËS 23.12.2017 DHE BUXHETIN SHTESË TË VITIT 2018.

Të nderuar Kolegë Këshilltarë bashkiakë!

Në mbledhjen e sotme na janë paraqitur për miratim nga ana e Kryetarit të Bashkisë,disa ndryshime në VKB-të 468,469 të dates 23.12.2017 gjithshtu na është paraqitur për miratim buxheti shtesë i Bashkisë Durrës për vitin 2018.

Në lidhje me VKB-në nr.468 kërkohet të ndryshojnë tatimi mbi pasurinë e paluajtshme bazuar në ligjin nr.106/2017 duke i taksuar pasuritë e paluajtëshme si më poshtë:

Ndërtesa banimi për qytetin e Durrësit, Shkëmbin e Kavajës, Gjirin e Lalzit, Tatimi llogaritet:

(Sipërfaqja x 67.500 lekë/m2 x 0.05%)

Dhe per Njësitë e tjera Tatimi llogaritet:

(Sipërfaqja x 67.500 lekë/m2 x 0.05%) x 70%

Ndërsa për ndërtesat për veprimtari tregtimi dhe shërbimi, çmimi për metër katror ndërtese do të jetë 1.5 herë më i lartë ose 101.250 lekë/m2 dhe tatimi do të jetë 0.2% e vlerës.

Kjo rritje e kësaj takse do të rëndojë 10-15  herë më shumë familjet e ish-njësive administrative konkretisht:

Një banor pronar shtëpie me sip 80 m2

Para hyrjes në fuqi të taksës re paguante 280 lekë/vit

Pas hyrjes në fuqi të taksës re(aktualisht) paguan 2.700 lekë/vit

Për të qenë jo arbitrar, por objektiv kam mendimin se çmimi referues duhet të hiqet dhe llogaritja e vlerës së banesave të bëhet me vetëdeklarim nga ç’do pronar i sajë, pasi kjo do të ishte transparente dhe vetëdeklarimi do të nxiste pronarët për ta paguar taksën e ndërtesës.

Gjithashtu kam mendimin se ne si Këshill bashkiak, bazuar në ligj, ta ulim taksën e ndërtesës me 30% .

Për taksat e tabelës jam dakord që të ulen, por pa bërë diferencime sipas sipërfaqes siç është propozuar, sepse kjo do të krijonte pabarazi dhe konkurencë të pa ndershme, duke favorizuar bizneset e mëdha, pra të bëhet 6.000 lekë/m2.

Në lidhje me propozimet e bëra për ndryshimet e VKB-së nr 469 e mësipërme konstatoj se:

Fondi prej 15.000.000 lekësh i planifikuar për t'u investuar ne zonën turistike tek Shkëmbi i Kavajës, për rehabilitimin e ndriçimit propozohet që të hiqet nga kjo zone dhe të kalojë për rikonstruksion rruge në Shkozet.

Kjo do të dëmtojë rëndë aktivitetin e turizmit dhe bizneset në këtë zone dhe do ti largojë turistët nga plazhi i Durrësit, prandaj jam i mendimit që ky ndryshim të mos bëhet dhe për rikonstruksionin e rrugës në Shkozet, Bashkia të rrisë performancen për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe të bëjë investimin.

Fondi prej 10.000.000 lekësh i planifikuar për realizimin e mbikalimit në zonën e Kënetës  pranë Universitetit “A.Moisiu’’ propozohet që të hiqet dhe të kalojë për mbyllje kanali rruga Ohri, me pretendimin se qenka ndërtuar mbikalimi në këtë zonë nga Autoriteti rrugor.

Pretendimi i paraqitur nuk është i vërtetë pasi, pranë Kampusit të ri të UAMD Durrës deri më sot nuk është ndërtuar asnjë mbikalim dhe kërkoj që ky mbikalim të ndërtohet sa më pare sepse rrezikohen seriozisht jetët e studentëve.

Fondi prej 15.000.000 lekësh i planifikuar për Studim projektim në zonën turistike tek Shkëmbi i Kavajës, propozohet që të hiqet nga kjo zone dhe të kalojë për rikonstruksionin e rrugës Taulantia.

Për këtë ndryshim fondi nuk jam dakort sepse rruga Taulantia nuk ka më shumë se një vit që është rikonstruktuar dhe tani po shkatërrohet dhe rindërtohet duke shpërdoruar taksat e qytetarëve durrsakë.

Në lidhje me miratimin e Buxhetit shtesë të Bashkisë Durrës për vitin 2018 konstatoj se:

Plani i të ardhurave shtesë prej 715.713.615 lekë, do të përdoret për:

Paga                                              17.568.100 lekë

Sigurime shoqërore                         4.741.921 lekë

Shpenzime korente                        79.365.784 lekë

Shpenzime kapitale                      601.037.810 lekë

Fond rezervë                                   13.000.000 lekë      

Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore do të rriten si rezultat i shtesës së 22 punonjësve në organikën e Bashkisë Durrës (12 policë bashkiakë dhe 10 punëtorë pastrimi).

Për këtë shtesë organike nuk jam dakort pasi, nuk është paraqitur asnjë studim nga ana e Bashkisë për të argumentuar domosdoshmërinë e kësaj shtese, por mesa duket bëhet për qoka elektorale.

Në lidhje me shpenzimet për investime kapitale prej 601.037.810 lekë, bie në sy fakti se nga këto investime nuk është planifikuar asnjë qindarkë për ngritjen e argjinaturës së lumit Erzen, me qëllim zgjidhjen e problemit të përmbytjeve në Njësinë administrative Katund të Ri dhe fshatin Rrushkull.

Po kështu nuk është planifikuar asnjë qindarkë për kanalet ujitëse dhe kulluese të fshatrave në Njësitë administrative Manëz, Sukth, Ishëm, Katund i Ri dhe Rrashbull.

Nuk është planifikuar asnjë qindarkë për shtrimin e rrugëve në fshatrat e Manzës dhe Ishmit të cilët edhe funeralet i transportojnë me krahë si në kohën otomane, për mungesë rrugësh.

Nuk është planifikuar asnjë qindarkë për zgjidhjen e problemit të mbeturinave urbane të cilat digjen ç’do ditë duke helmuar fëmijët tanë.

Fatkeqsisht si çdo vit edhe për vitin 2018 shpenzimet për investime janë planifikuar për luks si:

Blerje pajisje TIK Bashkia, blerje automjete policia bashkiake, blerje kamione dhe kamionçina, blerje kazanë etj.

Përveç këtyre pjesa tjetër e buxhetit shtesë do të vazhdojë të  shpërdorohet për sheshin para hyrjes së Portit edhe pse është betonuar për ndërtimin e bunkerit famëkeq të pagëzuar me emrin “Veliera’’.

Po kështu edhe shpenzimet e tjera do të kryhen për betonime lulishtesh tek Muzeu i Dëshmorëve dhe pjesë të tjera të qytetit, pa zgjidhur asnjë problem të qytetarëve dhe të turistëve që vizitojnë Durrësin.

Sa më sipër propozoj që të rishikohet edhe njëherë shtesa e Buxhetit për vitin 2018, me qëllim që investimet kapitale të realizohen me transparence në çdo cep të teritorit të Bashkisë, për zgjidhjen e problemeve jetike si: ndërtim rrugësh, kanalizime, ujësjellësa, kopshte, çerdhe, shkolla, vepra ujitëse etj.