Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ka degraduar në përplasje dhe fyerje debati mes kryetares se Komisionit Albana Vokshi dhe kryetarit te Bashkise Erion Veliaj.

“Po bëni ju teatër, në vend që të bëjnë aktorët. Jeni duke gënjyer sepse sapo iu thashë që nesër sheshi “Skënderbej” është për një çmim në Barcelonë. Në respekt erdha siç më kërkuat. Nëse do të bësh aktoren bëj audicion, por ti po gënjen. I keni vjedhur protestën aktorëve. Shfrytëzoni çdo kauzë për ta politizuar”, tha Veliaj.

Tonet u rritën kur Vokshi kërkoi që Veliaj të nxirrej jashtë.

“Të kanë dhënë rolin e zhurmuesit, më vjen shumë keq për ty. Nxirreni jashtë kryetarin e bashkisë. Nuk mund të marrësh mikrofonin për t’i bërë reklamë bashkisë. Mbyllet mbledhja derisa të iki kryetari”, tha Vokshi.