Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka sfiduar liderin e opozitës një ditë para protestës së paralajmëruar të ditës së shtunë.

Xhafaj tha se është i gatshëm të dorëhiqet nga posti nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD do të rezultojë i vërtetë.

Por, ai u kërkoi pjesëmarrësve në protestën e së shtunës të pyesin liderin e Opozitës, Lulzim Basha, nëse do të japë dorëheqjen nëse audiopërgjimi rezulton i manipuluar.

“Bashkëqytetarëve të thirrur në protestë, u them sot: Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim.

Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë?

E vërteta është vetëm një, dhe vetëm një në këtë rast. Ai që nuk është në anën e të vërtetës, duhet të përgjigjet. Këtë e kërkon interesi i ligjshëm i qytetarëve", tha Xhafaj.