Gjatë 10-mujorit të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar afro 3.1 milionë tonë mallra, ose 8 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2016.

Nga të dhënat e përftuara nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se rritje të volumit të mallrave të përpunuar ka patur si në eksportet edhe në importet.

Sipas të njëjtit burim, eksportet kanë shënuar një rritje prej 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke regjistruar një sasi prej 1 milionë e 123 mijë tonë mallra të përpunuar në 10 muaj. Ndërkaq, importet kanë tejkaluar shifrën prej 1 milionë e 956 mijë tonë mallra në 10 muaj, me një rritje prej 3 për qind, krahasuar me 10-mujorin e vitit 2016.

Gjatë periudhës janar-tetor 2017 në të tre Terminalet e mallrave janë përpunuar 475 anije tregtare, ndërsa në Terminalin e Trageteve janë përpunuar 849 tragete, të cilat përveç udhëtarëve transportojnë edhe mallra me kamjonë dhe trajlerë.

Nga një e dhënë tjetër, mësohet se nga anijet janë përpunuar mbi 2.4 milionë tonë mallra për 10-mujorin, me një rritje prej 9 për qind, ndërsa tragetet kanë transportuar nga/drejt Durrësit afro 674 mijë tonë, ose 7 për qind më shumë se 10-mujorin janar-tetor 2016.