Në portin më të madh të vendit gjatë 8 muajve të parë të këtij viti janë ankoruar 1290 mjete lundruese të madhësive dhe destinacioneve të ndryshme.

Mes tyre në kalata janë ankoruar dhe kanë marrë shërbimet e tyre, 230 jahte e velierë turistikë si dhe 3 kroçera me turistë nga vende të ndryshme të botës. Po ashtu, në Terminalin e Udhëtarëve janë përpunuar 680 tragete.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në Terminalin Perëndimor, në atë Lindor dhe atë të Kontejnerëve në periudhën janar-gusht janë përpunuar 377 anije gjithsej, ose 30 anije më shumë se sa në të nëjtën periudhë të vitit 2016.

Numri më i madh i anijeve tregtare, saktësisht 162, është ankoruar dhe përpunuar në Terminalin Perëndimor. 127 të tjera janë përpunuar në Terminalin e Kontejnerëve, ndërsa në Terminalin Lindor janë përpunuar 88 anije gjithsej. Gjatë 8 muajve të vitit 2017 në port janë përpunuar 2.4 milionë tonë mallra gjithsej, si dhe 664 mijë udhëtarë.