Gjatë periudhës janar – gusht të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 75. 224 kontejnerë (njësi kontejnerike – TEU), ose thuajse e njëjta sasi me periudhën janar-gusht të vitit 2016. Edhe shifrat e kontejnerëve TEU në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit janë thuajse të njëjta, 37.351 për eksport dhe 37.873 për import. 

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se që nga fillimi i vitit 2017 në kalatat e Terminalit përkatës janë përpunuar 127 anije tregtare kontejnerësh, ose 4 anije më pak se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2016. Ndërsa volumi i mallrave arrin në 921 mijë tonë, rreth 68 mijë tonë më i ulët se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë muajit korrik të këtij viti janë përpunuar 11.511 kontejnerë TEU, duke regjistruar edhe numrin më të lartë të kontejnerëve të përpunuar në një muaj gjatë këtij viti. Anijet e kontejnerëve vijnë ose i drejtohen kryesisht porteve të specializuar në Gioia Tauro (Itali), në Maltë dhe Kastiglione (Spanjë).

Në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-gusht 2017 me anije dhe tragete janë përpunuar afro 2.4 milionë tonë mallra gjithsej.