Rreth 6300 udhëtarë me 1435 autovetura kanë shfrytëzuar mesatarisht çdo ditë tragetet nga dhe drejt Durrësit gjatë periudhës korrik-gusht të këtij viti.

Afro 390 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj gjithsej kanë lëvizur me tragete në periudhën 2-mujore korrik-gusht 2017. Shifrat janë 7-10 për qind më të larta, për çdo muaj krahasuar përkatësisht me dy muajt e vitit 2016.

Gjatë stinës së verës dhjetëra mijë bashkatdhetarë me punë dhe banim jashtë vendit mbërrijnë në Durrës, për të vijuar udhëtimin drejt familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni. Nuk mungojnë edhe të huajt që vijnë me tragete për të pushuar në bregdetin shqiptar.

Më poshtë të dhëna për muajt korrik dhe gusht 2017:

265 mijë udhëtarë me tragete vetëm në muajin gusht 2017

Gjatë muajit gusht të këtij viti tragetet e linjave nga Durrësi drejt Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali) dhe anasjellas janë shfrytëzuar nga 264.887 udhëtarë vendas dhe të huaj gjithsej. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave mësohet se afro 113 mijë udhëtarë kanë përdorur tragetet drejt Durrësit, ndërsa 152 mijë të tjerë janë nisur me tragete drejt porteve të Italisë.

Gjatë muajit gusht me tragete janë transportuar mbi 62 mijë autovetura gjithsej, afro 35 mijë nga të cilat në dalje, ndërsa pjesa tjetër në hyrje drejt Durrësit.

Shifrat janë 10 për qind më të larta se sa në muajin gusht të vitit 2016.

Gushti vazhdon të jetë muaji me numrin më të lartë të udhëtarëve dhe automjeteve që shfrytëzojnë tragetet.

Korrik 2017, mbi 124 mijë udhëtarë me tragete

Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim gjatë muajit korrik të këtij viti kanë transportuar 7 për qind më shumë udhëtarë se sa në muaji korrik të vitit 2016.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave mësohet se gjatë korrikut që lamë pas tragetet janë shfrytëzuar nga 124.308 udhëtarë, ndërsa në korrik të vitit të kaluar vetëm nga 116.541 udhëtarë. Tragetet e linjave brenda një muaji kanë kryer 102 lundrime, tre më shumë se sa në muajik korrik 2016.

Numri i udhëtarëve në hyrje të portit nga Italia ka qenë thuajse tre herë më i lartë se sa në nisje nga Durrësi drejt Barit dhe Ankonës. Brenda muajit korrik 2017 në portin më të madh të vendit kanë mbërritur afro 91 mijë udhëtarë, me mbi 21 mijë autovetura. Nga i njejti port gjatë korrikut 2017 janë nisur me tragete 33.504 udhëtarë, me afro 6 mijë autovetura.