Gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim kanë transportuar afro 664 mijë udhëtarë gjithsej, ose 6 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2016.

Treguesit e kësaj periudhe për transportin me tragete janë më të lartë se në 8-mujorin e vitit 2016.

Sektori i Statistikave të APD-së, bën me dije se tragetet kanë transportuar afro 526 mijë tonë mallra, ose 33.419 tonë më shumë se sa në 8 muajt e parë të vitit 2016.

Gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti tragetet kanë kryer 680 lundrime, ose 37 më pak se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2016, por shifrat e autoveturave dhe kamionëve të transportuar janë përkatësisht 7 dhe 10 për qind më të lartë se sa në 8-mujorin e vitit 2016.

Në këto 8 muaj tragetet kanë transportuar 139.497 autovetura dhe 47.890 kamionë dhe trajlerë me mallra.

Numri i udhëtarëve në hyrje dhe në dalje nga porti i Durrësit me tragete mbetet thuajse i barabartë, ndërsa ka një rritje me 16 për qind të numrit të udhëtarëve të huaj që kanë shfrytëzuar portin më të madh të vendit tonë.