Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona e kthim gjatë katër muajve të parë të këtij viti kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë se sa në periudhën janar-prill 2017. 

Brenda katër muajve, tragetet janë shfrytëzuar nga më shumë se 158 mijë udhëtarë, me 30.873 autovetura gjithsej.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se periudhën janar-prill 2018 tragetet kanë transportuar afro 293 mijë tonë mallra, të ngarkuar në kamionë dhe trajlera. 

Kjo është një sasi 12 për qind më e lartë se sa ajo e katër muajve të parë të vitit 2017, ndërsa për të njëjtën periudhë importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 10 dhe 16 për qind.

Tragetet kanë transportuar 22.985 kamionë dhe 1.888 trajlerë në katër muaj, përkatësisht 6 dhe 5 për qind më shumë se sa në janar 2017.

Nga të njëjtat burime mësohet se tragetet kanë kryer 299 lundrime vajtje-ardhje, ose 2 lundrime më shumë se një vit më parë.