Paraditen e së dielës në portin e Durrësit mbërriti veliera “Sea Cloud” me 61 turistë të huaj në bord, pjesa më e madhe e të cilëve nga SHBA, si dhe nga Australia, Suedia, Italia, Kanadaja dhe Gjermania. Anija turistike u ankorua rreth orës 7.00 në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Shumë prej udhëtarëve me të mbërritur në port u nisën drejt Krujës dhe Tiranës, ndërsa të tjerët vizituan qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit.

Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping”, mësohet se veliera që po kryen një udhëtim turistik në Mesdhe është nisur natën e së shtunës nga Porto Palermo, ndërsa në mbrëmje vijoi lundrimin drejt Kotorrit (Mali i Zi).

Veliera “Sea Cloud” me një personel prej 58 vetësh ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas.
Ajo viziton Durrësin që prej 7 vjetësh.

Vetëm gjatë kësaj vere ajo do të ankorohet në portin e Durrësit edhe 6 herë të tjera. Pas kroçerës “La Belle de l’Adriatique” kjo është anija e dytë turistike për vitin 2018.