Dhunohet brutalisht gazetari serb Stefan Cvetkoviç, i cili ishte pjesë e një grupi investigativ që po hetonte vrasjen e mistershme të liderit të serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviç.

Gazetari u godit me sende të forta mbrëmjen e së hënës në Beograd. Policia serbe njoftoi se ka arrestuar një 39-vjeçar, i dyshuar si agresori i mundshëm i Cvetkoviçit.

Në një postim në rrjetet sociale, gazetari denoncoi dhunën. “Mua mund të më vrisni, por të vërtetën jo”, shkruan Cvetkoviç në Facebook.

Stefan Cvetkoviç ka dëshmuar në organet hetimore në Kosovës për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, çka e ka bërë atë shënjestër të organizatorëve të eliminimit politik të muajit janar në Mitrovicë.

Ky nuk është sulmi i vetëm ndaj gazetarit serb. Cvetkoviç u rrëmbye nga persona të paidentifikuar disa javë më parë. Fillimisht u mendua për eliminim të tij, por pas disa ditësh gazetari u gjet shëndoshë.