Tribunali për krime të luftës i Kombeve të Bashkuara, sot do të shpallë vendimin për ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

I njohur si "Kasapi i Bosnjës", Mlladiç është i akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, derisa pritet që vendimi të jetë dënim me burgim të përjetshëm.

Por sapo ka nisur seanca Mlladiç është nxjerr nga salla e Gjykatës së Hagës, kjo pasi u ngrit duke i bërtitur gjykatësit, pas leximit të akuzave ndaj tij. Më tej dëbimi erdhi pasi gjykatësi refuzoi një kërkesë nga avokati i tij për të shtyrë seancën për arsye shëndetësore.

Mlladiç do ta ndjekë vendimin nga një sallë tjetër në gjykatë.

74-vjeçari është përgjegjës për ekzekutimin e 8 mijë burrave myslimanë në korrik të vitit 1995, që njihet si mizoria më e madhe e kryer në Evropë pas Holokaustit.

Vendimi për Mlladiçin do të jetë gjykimi i fundit nga tribunali që ishte themeluar në Hagë në vitin 1993 për dënimin e krimeve të kryera në luftërat Ballkanike në vitet e 90-ta.

Ndër të tjera Mlladiq, akuzohet për vrasje, torturë, dhunime, shfarosje dhe bombardime. Mlladiç i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij./BW