Marrëveshja për kufirin midis Malit të Zi dhe Kosovës, është e mundur të përcaktojë disa korrigjime teknike të vijës kufitare, por nuk ka ndryshime të veçanta, ka thënë ministri i jashtëm malazez, Srxhan Darmanoviç.

Presidentët e Malit të Zi dhe Kosovës, Filip Vujanoviç dhe Hashim Thaçi, kanë nënshkruar të premten një deklaratë të përbashkët përmes së cilës i bëhet thirrje Kuvendit të Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin shtetëror të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015.

I pyetur nëse në bazë të asaj marrëveshjeje mund të ndodhë ndryshimi i kufirit, Darmanoviç është përgjigjur se deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviçit konfirmon atë që tashmë ekziston në Marrëveshje, në nenin 7.

“Prandaj, nuk ka ndryshime të veçanta”, iu ka thënë gazetarëve Darmanoviç, dhe shpjegoi se me nenin 7 pasi që të dyja vendet e ratifikojnë marrëveshjen, Komisioni duhet të dalë në terren dhe të kryejë këtë proces.

Sipas tij, ekziston mundësia që disa korrigjime të vërtetohen metër për metër,

“Marrëveshja për kufirin duhet të ratifikohet, e këtu bëhet fjalë për korrigjime eventuale teknike që nuk sjellin kurrfarë rezultati negativ për asnjërën prej palëve në procesin negociator”, shtoi ai, raportojnë mediat malazeze. /Klan Kosova