Ndërmjetësuesi i OKB-së për emrin e Maqedonisë, Mattheë Nimetz deklaroi gjatë konferencës për shtyp, të dhënë në përfundimin e takimit me ministrin e Jashtëm Nikola Dimitrov se, është optimist për sa i takon gjetjes së një zgjidhjeje që nuk rrezikon identitetin e maqedonasve.

Nimetz nuk e mohoi se në qëndrimet mes dy vendeve ka dallime.

“Por, aty ku ekziston vullneti për zgjidhje krijohet një moment politik që duhet shfrytëzuar”, u shpreh ai, duke shtuar se tani është përfundimisht koha e duhur për të bërë përpara me këtë çështje.

“Populli maqedonas nuk duhet të shqetësohet se arritja e një marrëveshjeje me Greqinë mund t’i cënojë gjuhën apo identitetin”.

“Javët në vijim do të jenë vendimtare”, theksoi zyrtari i Kombeve të Bashkuara, duke lënë të kuptohet se ai vet beson që zgjidhja është e mundshme.

Më herët, Nimetz u takua me kryeministrin Zoran Zaev dhe presidentin Gjorge Ivanov.