Deklarata e Presidentit të Kosovës se do t’i përgjigjet çdo kërcënimi të Serbisë si 19 vjet më parë, nuk ka kaluar pa u vënë re në Beograd.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha për gazetarët vendas se retorikën e luftës të përdorur nga Thaçi e kishte diskutuar edhe në takimin me kryeministrin Boiko Borisov të Bullgarisë, vend i cili mban presidencën e Bashkimit Europian.

Sipas Vuçiç, Borisov e kishte përgëzuar për përgjigjen që kreu i shtetit serb i dha Thaçit, duke bërë thirrje për paqe. “Nuk më pëlqen të merren me pushkë dhe me armë, si Thaçi, le ta bëjë ai. Nuk e shkatërruan pushkët e Thaçit Serbinë, por disa avionë”, deklaroi Vuçiç.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i bëri thirrje BE dhe NATO-s të dënojnë deklaratat e presidentit kosovar që nxisin konflikt të ri.

Edhe mediat Serbi i bënë jehonë fjalimit të presidentit të Kosovës. E përditshmja “Kurir”, në faqen e parë shkruan se “Hashim Thaçi po kujton përsëri luftën”. Më tej gazeta serbe raporton se Presidenti i Kosovës kërcënon se do të godasë Serbinë me “pushkë”, duke dhënë një tjetër provë se shqiptarët nuk dëshirojnë dialog, por luftë”.

Gjatë fjalimit në 19-vjetorin e Betejës së Koshares, presidenti Thaçi tha se Kosova edhe sot ndjehet e provokuar ndaj kërcënimeve serbe, por do të përgjigjet si në të kaluarën.