Pas Athinës, edhe Shkupi zbulon përpjekje destabilizuese të Moskës për të penguar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev thotë se biznesmenë grekë që mbështesin Rusinë po hedhin shuma të mëdha parash për të shkaktuar protesta të dhunshme në Maqedoni, për të shkaktuar dështimin e referendumit që i hap rrugë zbatimit të marrëveshjes për emrin e ri shtetëror me Greqinë. Duke folur për median amerikane online Buzzfeed, Zaev tha se biznesmenë të huaj paguajnë deri 21 mijë Euro për individët që nxisin destabilitet.

“Përfaqësuesit e Rusisë këtu dhe të tjera nga Moska nuk e fshehin që janë kundër integrimit tonë në NATO. Disa prej tyre janë të lidhur me median. Të tjerë inkurajojnë të rinjtë të protestojnë para parlamentit, të sulmojnë policinë… kjo është shumë e dukshme.”

Javën e kaluar, autoritetet greke dëbuan 2 diplomatë rusë dhe u ndaluan hyrjen dy të tjerëve. Athina zbuloi përpjekjet e tyre për të korruptuar deputetë, politikanë, nëpunës e klerikë ortodoksë, për të ngritur zërin kundër marrëveshjes Athinë – Shkup për emrin e ri të Maqedonisë. Shkupi mori ftesën për anëtarësim në NATO, por pa u vënë në zbatim kjo marrëveshje Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare.

Edhe autoritetet malazeze arrestuan dy shtetas rusë, të cilët po përpiqeshin të shkaktonin destabilitet për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO qershorin e vitit të kaluar.