I njohur si mbreti i prostitucionit në Ballkan, Dilaver Bojku u vra tri javë më parë para lokalit të tij në Strugë.

Disa ditë më vonë u raportua se para se të shkrepte armën e drejtuar nga koka e Bojkut, vrasësi i kishte thënë në gjuhën serbe: Tash je i pavlerë.

Mediat serbe shkruajnë se kjo vrasje është e lidhur më një tjetër që kishte ndodhur gati 20 vjet më parë në Beograd, përcjell gazeta “Metro”.

Atje ishte vrarë motra e Bojkut, Lija Ahmetovic. Vrasja kishte ndodhur në vitin 1998 kur ajo po kthehej nga puna. Punonte si pastruese në një institut.

Atë kohë policia serbe kishte marre kontakt me Dilaver Bojkun për herë të parë, por ky vetëm kishte shkuar për të marrë trupin e pajetë të saj.

Fillimisht ishte dyshuar nëse ishte vetë familja që e kishte vrarë Lijën, për shkak se ajo ishte martuar pa pëlqimin e tyre me djalin e një ushtaraku të ushtrisë së Jugosllavisë.

Por ky version nuk dukej i besueshëm për vetë faktin që ajo tashmë kishte jetuar me vite dhe kishte fëmijë me të, dhe po të dëshironte familja e saj do ta bënte këtë veprim shumë kohë më herët.

Dyshohet se vrasja e Lijës të ketë qenë “vërejtja e fundit” për Bojkun, një nga mënyrat si veprojnë klanet mafioze. Sidoqoftë, vrasja e Lijës nuk është zbardhur as pas 19 vitesh.