Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka mbrojtur sërish tezën e rishikimit të kufijve me shqiptarët. Duke folur për të përditshmen beogradase Novosti, Vuçiç shpjegoi se kufijtë mes shqiptarëve dhe serbëve janë të paqartë ndaj kërkoi përcëktimin e tyre njëherë e mirë.

“Duam vijë kufitare të qartë, jo të përkohshme siç janë sot, të cilat ndryshe janë shkruar e ndryshe janë në të vërtetë”.

Duke përdorur termin “demarkacion”, Vuçiç u shpreh se bëhet fjalë për nje ide që ai e mbështet prej vitesh. Presidenti serb tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pavarësisht se e pranon se nuk do të jetë aq e thjeshtë sa ç’mund të imagjinohet.

Mbështetja që Vuçiç i dha tezës së rishikimit të kufijve bëri kryediplomatin serb të ndryshojë mendje. E përditshmja “Novosti” citon Ivica Daçiçin të jetë shprehur se rishikimi i kufijve ishte e vetmja zgjidhje e mundshme.

Ka ndryshuar qëndrimi i Shteteve të Bashkuara, ku më parë besohej se çështja e Kosovës është zgjidhur dhe se ne duhet vetëm duhet ta njohim atë dhe kështu mbyllet ajo temë. Me administratën e re ka angazhime për të parë të gjitha propozimet për zgjidhjet më kreative dhe fleksibile. Kjo është ajo çfarë ne jemi duke kërkuar. Ndaj unë e mbështes këtë propozim, sepse është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe shpejtë e cila largon problemin aktual akut”.

Pak ditë më parë, kur Presidenti kosovar Hashim Thaçi foli për bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën, Daçiç e refuzoi këtë propozim dhe tha se nuk kishte alternativë tjetër veç ndarjes së Kosovës. Presidenti Thaçi ka deklaruar vazhdimisht këto dite se korrigjimi i kufijve nuk do të thotë ndarje apo shkëmbim të territorit dhe se Prishtina do të shqyrtojë kërkesën e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit për t’iu bashkuar Kosovës.