Koordinatorja e Rrjetit të Gruas Barazi në Vendimmarrje për qarkun e Durrësit, Mimoza Haxhiaj, në një intervistë për “DurrësLajm”, shpjegon rreth nismës së fundit në kuadër të fuqizimit të grave dhe vajzave këshilltare në Bashkitë e qarqeve.

Mimoza Haxhiaj, ju jeni Koordinatore e Rrjetit të Gruas Barazi në Vendimmarrje për qarkun e Durrësit, mes shumë aktiviteteve të tjera që keni zhvilluar për rolin e gruas në vendimmarrje, cila është nisma juaj e fundit?

Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” ka ndërmarrë nismën “Fuqizimi i përfaqësimit dhe i rolit të grave në Këshillat Bashkiakë në Shqipëri” që synon të fuqizojë gratë dhe vajzat këshilltare në Bashkitë e qarqeve. Por çfarë synojmë ne të arrihet?

Fuqizimi i grave këshilltare, për një përfaqësim efikas dhe zë më të fuqishëm të grave dhe vajzave në vendimmarrje nё qeverisjen vendore. Rrjeti i Grave “Barazi nё Vendimmarrje” me mbёshtetjen e “National Endowment for Democracy “do të zhvillojë një nismë pilot duke u bazuar nё njё qasje bashkëpunuese ndërinstitucionale dhe ndërsektoriale nёpёrmjet angazhimit të grave këshilltare bashkiake, aktorëve kryesorë lokalë dhe kombëtarë si: gra deputete, gra eksperte nё nivel vendor dhe përfaqësues të medias pёr tё krijuar një urë bashkëpunimi mes drejtuesve në nivel vendor dhe kombëtar, si dhe rezultate efikase të punës së grave këshilltare, nëpërmjet një platforme të ashtuquajtur “Platforma e Bashkëpunimit të Grave Lidere”.

Nisma juaj për gratë e Këshillit Bashkiak në Durrës, ku do të fokusohet, cilat janë elementet kryesore?

Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave dhe vajzave në vendimmarrjen lokale është rritur ndjeshëm pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, në sajë të vendosjes së kuotës gjinore prej 50% në Kodin Zgjedhor duke shënuar një arritje historike të përfaqësimit të grave në politikën shqiptare. Në krahasim me vitin 2011, kur gratë ishin të përfaqësuara me 12.33% në Këshillat Bashkiakë, pati një rritje me 34.50% në vitin 2015. Por, pjesëmarrja më e lartë numerike e grave dhe vajzave në Këshillat Bashkiakë, në bazë të studimeve të ndryshme, ende e ka patur të vështirë të përkthehet në një fuqi më të lartë në vendimmarrje.

Pikërisht për këtë arsye, nisma jonë do të fokusohet në:

-Rritjen e kapaciteteve tё grave kёshilltare pёr tё manaxhuar proceset vendimmarrëse në qeverisjen vendore me kompetencё dhe efikasitet.

-Rrjetёzim duke nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërsektorial nё nivel vendor ndërmjet grave këshilltare bashkiake, deputete, grave në administratёn publike, grave eksperte dhe medias, për të rritur përfaqësimin thelbёsor të grave dhe vajzave në vendimmarrje dhe nё jetёn politike.

-Marketing Social duke nxitur komunikimin midis grave vendimmarrëse në çdo bashki të kësaj nisme, vizibilitetin e punës së tyre, transparencёn dhe angazhimin e aktorëve të tjerë për mbështetjen e vazhdueshme të grave në nivel vendor.

-Advokim dhe ndryshim i mjedisit vendimmarrës duke punuar dhe trajtuar së bashku, si një grup, çështje sociale për të përmirësuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave dhe vajzave në vendimmarrje dhe pozitat e tyre në shoqëri.

Cili është misioni kryesor i Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje”?

Këtë vit, Rrjeti bën plot 10 vite aktiv në partitë politike, në shoqërinë civile dhe në media, i themeluar në 2008-n nga një grup i grave, pjesë e Programit të NDI “Zhvillimi Lidershipit Politik të Grave – Advokim”.

Misioni i kryesor i Rrjetit është përmbushja e barazisë në vendimmarrje dhe fuqizimi i pozicionit të gruas në fushat kyçe të shoqërisë shqiptare.

Rrjeti synon:

Të ndërgjegjësojë shoqërinë, votuesit dhe strukturat e ndryshme për rëndësinë e barazisë gjinore në vendimmarrje.

Të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit të grave për të drejtat e tyre dhe të zbusë pabarazinë gjinore në familje, shoqëri dhe vendimmarrje.

Të mbështesë kandidatet gra në fushata elektorale dhe të rrisë prezencën e çështjeve gjinore në debatet publike, në programet e partive politike, etj.

Të bashkëpunojë me institucionet vendimmarrëse dhe të lobojë pranë tyre për cështjet me interes për gratë dhe vajzat shqiptare dhe për arritjen e shanseve të barabarta në çdo fushë të jetës.

Të rrisë kapacitetet e grave për çështjet e pjesëmarrjes në politikë dhe në vendimmarrje.

Të monitorojë dhe të kërkojë zbatimin e plotë të kodit zgjedhor dhe legjislacionit në përgjithësi, që të sigurohet një përfaqësi gjinore të balancuar në parlament dhe në organe të tjera vendimmarrëse.