Autoriteti Kombëtari i Ushqimit mbrëmjen e kaluar ka bllokuar rreth 75 kg mish në  një thertore të paligjshme në qytetin e Tiranës. Aktiviteti ishte në pronësi të shtetasit Kristo Mukades dhe ushtrohej në katin e parë të banesës së tij, i parregjistruar në organet tatimore.

Gjatë kontrollit,  u gjetën 58.2 kg mish viçi dhe dy karkasa qengji në sasinë e 17 kg, të cilat në momentin e inspektimit, shtetasi tentoi t'i fshehë duke i hedhur jashtë mureve të “thertores” .

Për shkeljet e konstatuara nga trupa inspektuese u mor masa  e bllokimt të menjëhershëm të aktivitetit, masë administrative dhe u konfiskua sasia e mishit.

Gjithashtu, mësohet se shtetasi  Kristo Mukades është kapur nga AKU  edhe me datë 21 janar 2018, pasi kishte therur e transportonte mish në kushte krejtësisht të papërshtatshme. Pavarësisht masave të marra më parë, shtetasi ka vijuar aktivitetin e paligjshëm. Aksioni i AKU u mbështet edhe nga policia.