Besimtarët bektashianë kremtojnë sot, ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur si Dita e Nevruzit. Dita e Sulltan Nevruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Kjo ditë nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe.
Sipas sektit bektashian festa e Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Me rastin e kësaj feste në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane zhvillohet ceremonia tradicionale fetare ku Kreu i Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj uron të gjithë besimtarët me rastin e Sulltan Nevruzit.
Mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane do të vizitohen edhe nga krerët e shtetit dhe politikës për të ndarë urimet e rastit.
Festa e Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashi, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, edhe pemët, edhe lulet, në këtë ditë lind shpresa, ringjallja për njerëzimin që shpreson për një të ardhme më të mirë.
Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, është dekretuar si festë kombëtare 16 vite më parë. Sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë Luftës për Çlirim.
Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emer nga themeluesi i saj, Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.