Ditën e sotme, në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit është çelur zyrtarisht kursi i gjuhës kineze. Me këtë rast, universitetin e vizitoi zonja Jiang Yu, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, atasheu kulturor Liu Zhuoya si dhe një përfaqësi e “Institutit Konfuci”. Të ftuarit u pritën në një vizitë nga rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski.

Rektorja e njohu ambasadoren Yu me rritjen e vazhdueshme të UAMD-së.

“Jemi universiteti publik më i ri në vend, me një staf të ri, por të kualifikuar dhe energjik. Me vizitën tuaj projekti i bashkëpunimit të universitetit tonë me universitete në Kinë shkon një hap përpara. Mund të themi që kemi nisur një udhë të mirë me vepra konkrete. Ndjehem shumë e kënaqur që në UAMD do të çelim një dritare të re të mësimit të kinezishtes. Jemi të nderuar dhe vullnetmirë që si për këtë nismë, ashtu dhe partneritetin me universitetet kineze, keni zgjedhur pikërisht universitetin tonë”, u shpreh rektorja në fjalën e saj.

Nga ana tjetër, Shkëlqesia e Saj znj. Yu shprehu konsideratën e saj për universitetin dhe drejtuesit e tij.

“Miqësia shqiptaro-kineze është një mundësi shumë e mirë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë. UAMD është ndër universitetet më të mira në Shqipëri, ndërsa Durrësi një ndër qytetet më të rëndësishme në Ballkan. Dëshirojmë të ndërtojmë udha komunikimi e bashkëpunimi së bashku siç është edhe çelja e këtij kursi të gjuhës kineze”, cilësoi ambasadorja.

Rektorja e UAMD-së dhe ambasadorja patën gjithashtu një bashkëbisedim të ngrohtë me studentët e regjistruar në kursin e gjuhës kineze.