Arben Xheka, banor në Fushë Mret të Elbasanit, tregon në emisionin “Stop” se banon në një shtëpi private prej 27 vjetësh. 

Por prej një viti nuk mund të hyjë e të dalë nga dera sepse truallit i ka dalë pronari. Ndaj ai ka vënë një shkallë që e përdor për të hyrë ne shtepi nga dritarja..

Në këto kushte, çështja mund të quhet “një çudi shqiptare” e radhës…

“Ka gati një vit që mua më është bllokuar dera për të hyrë në banesë dhe detyrohem të hyj nga dritarja. Nuk kam mënyrë tjetër komunikimi. Shtëpia e katit të dytë nuk ka lidhje me katin e parë sepse kati ka hyrje tjetër. U detyrova të bëj një palë shkallë për të hyrë në katin e parë”, rrëfeu denoncuesi.

Por të moshuarit e shtëpisë thonë që janë ngujuar, pasi kur kanë provuar të përdorin shkallën janë rrëzuar.
“Ku të dal unë? Nga shkallët kam rënë dy herë”, u shpreh i moshuari. Ndërsa bashkëshortja e tij tregoi se ka që prej muajit Nëntor pa dalë nga shtëpia, pasi nuk mundet të hyjë e të dalë nëpërmjet shkallës.

Bashkëshortja e Arben Xhakës tha se i kanë kërkuar pronarit të tokës t’u lejojnë pak hapësirë sa për të dalë të moshuarit, por nuk ka pranuar.
“Sa herë hipi e zbres unë, atë punë kam mbi 20 herë në ditë. Tallen edhe njerëzit kur kalojnë dhe na shohin ne këtu”.

Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh se në këto kushte familja Xheka ndodhet në “arrest shtëpie”./ tvklan.al