‘99% unë jam i shkatërruar 1% jam në këmbë.’

Riad Celufaj dhe fjalët që thotë janë historia e jetës së tij, janë drama e tij. 24-vjeçari nga Shkodra rrëfen betejën me drogërat e forta, që zgjat prej 6 vitesh.

‘Ka arrit puna që jam në gardhin e fundit që mund të shkojë një njeri. Që mund të shkojë një përdorues droge, i kësaj droge, për momentin, ka 6 muaj që jam në trajtim, me metadon. Jam drejt lënies së tij, por edhe atë e shoh shumë të vështirë për ta lënë, shpesh më ngacmon edhe mendja për të pirë drogë prap. Rrezik ka për t’u rikthyer. Ka pas raste që kam ndejtur dy-tre ditë në dhimbje në shtrat, siç janë këto dhimbjet kur nuk e merr, kur nuk e përdor, kur të rri mendja aty.’

I riu kujton sesi ishte vetëm 18 vjeç kur para se t'i mësonte emrin heroinës kuptoi shijen e saj pa e ditur se në ç’kurth kishte rënë.

‘Nisi 18 vjeç, te një sallë lojërash interneti. Kam taku një person aty, as nuk e njihja se ç’të bën kjo lloj droge. Avash-avash duke e pirë derisa e kam parë veten që ka dhimbje, ka fiksime, ta jep në tru që o ta marrësh o s’ka. Kam qenë djalë normal, sportist, kampion në boks për dy vite e gjysmë. Kur hyra të punoj për të patur një rrogë, 18 vjeç sepse e lash shkollën e mesme. Thash po punoj, po e marr shkollën më vonë… Aty u futa në një sallë internet, njoha një njeri dhe aty merr jetë gjithçka pastaj…’

Sot kur kthen kokën pas nuk sheh tjetër veçse atë pak çka i ka mbetur nga jeta e dikurshme. Babai ka ndëruar jetë, ndërsa familja e ka braktisur e gjitha duke e lënë në vetminë e tijë të mbytur ngado në borxhe që nuk ka me se t'i shlyej pasi nuk ka mbetur më pronë pa shitur.

E pyesim sesi e gjen drogën dhe si i siguron paratë kur nuk ka një punë dhe të ardhura të tjera. Por pyetja jonë i duke e pakuptimtë pasi thotë se asgjë nuk e ndal një të droguar që t’i gjej paratë.

‘Arrin gjithmonë, maksimumi 2-3 ditë, ditën e katërt ka për detyrë ta gjej një mënyrë. Nëse i ke paratë e gjen lehtësisht. Me dy doza mund të jesh i kënaqur. Unë kam arrit me përdor deri 5 doza brenda një ditë. Në Shkodër njoh 30 – 40 vetë përdorues të heroinës. Hashashi është tmerrësisht i hapur. Kam parë edhe 15 vjeçarë.’

2 herë ka provuar por nuk ia ka dalë t'i largohet heroinës, por këtë rradhë thotë se është i vendosur t'i shkojë deri në fund terapisë me metadon.

‘Ka pas raste që nuk kam qenë i vetëdijshëm. Kur i shoh të rinjtë që mund ta kenë marr atë rrugë, i them largohu ‘mor shok’ se shi ku kam arrit unë. Për mua gjëja më e shtrenjtë është familja sot.

I mbetur fillikat njeri pa njeri, 24-vjeçari ruan vetëm një lutje për shtetin dhe shoqërinë, t’i japin një punë që të mos i rikthehet pluhurit vrasës.

‘Një punë të rregullt që mund ta marrë veten, kërkoj ndihmën e një shoqate apo njerëzve. Më janë mbledhur shumë gjëra, jam krejt i vetëm pa asnjë njeri. Kam humb besimin te gjithkush. Te njerëzit e mi më të afërt… të gjithëve iu kërkoj falje, po kështu paska qenë e shkruajtur!’

/BalkanWeb/