Rreth 800 pacientë në muaj vizitojnë vetëm një prej mjekëve në Poliklinikën e Specialiteve në Durrës. Numri i pacientëve është shumë i lartë, ndërsa edhe problemet e tyre shëndetësore, kryesisht me zemrën, nisin që në moshë të hershme. Jeta e vështirë, puna e lodhshme, stresi në rritje, shqetësimet e një jete të mbushur me probleme nga më të ndryshmet, ushqimet me hormone, të gjitha këto kanë bërë që numri i pacientëve të prekur nga sëmundjet kardiake të vijë në rritje.

Që prej mëngjesit deri në orët e pasdites, radha për t’u vizituar tek mjeku kardiolog është shumë e madhe. Mjekët e familjes i dërgojnë në poliklinikë të gjithë pacientët, të cilët për t’u vizituar kanë vetëm një mjek e gjysëm në dispozicion.

Mjeku Luan Iljazi, i cili është në prag pensioni punon me kohë të plotë, ndërsa mjeku tjetër, punon vetëm katër orë, pasi paradite punon në spitalin rajonal ku ka edhe pacientët të shtruar e nën mbikëqyrje.

Pacientët me sëmundje të zemrës përbëjnë edhe numrin më të madh të atyre që kërkojnë shërbim në polklinikë dhe kjo është një kosto e shtuar për të gjithë sistemin tonë shëndetësor.  

K.H.