Mëngjesin e 9 marsit 2014, Lecco u zgjua me një lajm që dukej si një makth, por në fakt ishte realiteti më i keq. Tre vajza të vrara nga nëna e tyre në atë që u quajt si “Masakra e Chiusos”.

Një horror që tronditi të gjithë komunitetin. Një tragjedi e paimagjinueshme, me një nënë që i mori jetën tre vajzave të saj të bukura dhe më pas u përpoq të vriste veten. Dhe vuajtja e një babai i cili brenda një nate, humbi tre thesaret e tij më të mëdha. Tani ai burrë, Bashkim Dobrushi, ka rinisur një jetë të re, por pa harruar kurrë, as për një sekondë, tre dashuritë e tij.

MASAKRA E CHIUSOS

Babai i tre vajzave të vrara në Chiuso në 2014, Bashkim Dobrushi, do të bëhet sërish baba. Në prill 49-vjeçari është martuar me Afërditën, 36 vjeçe, me origjinë nga Shqipëria si ai vetë dhe tani çifti pret një djalë që duhet të lindë më 3 prill, ditën kur Simona, vajza e parë e tij do të mbushte 17 vjeç. Simona vdiq nga duart e nënës së saj Edlira Çopa, atë natë të mallkuar 3 vjet më parë dhe me të mbyllën sytë përgjithmonë Keisi, që në atë kohë ishte 10 vjeçe dhe Sidny që ishte vetëm 3.

FJALËT E BABAIT BASHKIM

Babai, Bashkimi i ka sytë të mbushur me lotë, kur tregon për vajzat dhe mbështetjen e banorëve të Leços. “Simona ishte një volejbolliste dhe të gjithë thoshin se ishte një grua e vogël. Ndërsa Keisi pëlqente kërcimin klasik dhe frekuentonte Oratorion. Sidni ishte gjithmonë e dashur”.

Gruaja e re gjithmonë e ka mbështetur burrin e saj në luftën e tij të përditshme kundër dhimbjes së humbjes së tre vajzave të tij. “Muret e shtëpisë sonë në Lecco janë plot me fotografi të vajzave të mia. Qyteti i Leccos është qyteti im dhe Italia është vendi im. Njerëzit e Leccos janë bashkëqytetarë të mi. Dëshiroj t’i falënderoj. Unë do të doja t’u tregoja atyre se ndihma e tyre ishte shumë e rëndësishme”.

NJË JETË E RE

Dhe tani më në fund një rreze dielli, ardhja e një jete të re. Një dhuratë që nuk do të mundë të fshijë dhimbjen, por që do të ndihmojë zemrën e shqiptarit që ka vuajtur shumë të luftojë sërish, çdo ditë. “Do jetë djalë, por për mua gjëja më e rëndësishme është që të jetë i shëndetshëm”, thotë Bashkimi.