Një 65-vjeçar jeton në banjot publike të qytetit të Vlorës. Prej 10 vitesh, Vladimir Tahiraj, jeton në një sipërfaqe rreth 5 metër katrorë, vend i ftohtë dhe me lagështirë. Fiks Fare udhëtoi drejt Vlorës, ku dëgjoi rrëfimin prekës.

“Kushtet janë shumë të vështira Edhe qëni mos të rrojë kështu. Kam ftohtë, uri. Jam bërë dy lekë njeri, i dobët. Gjendja është shumë e keqe” thotë Tahiraj.

Më tej shton se kërkon vetëm një kolibe.

“Të paktën mos të vdes këtu. Mos të thonë njerëzit vdiq në banjo, se kjo ngel si histori” vijon ai, teksa më pas tregon kalvarin e jetës. Në diktaturë ka bërë 28 vjet burg për plagosje të rëndë. Pas viteve ’90 është martuar dhe ka një fëmijë. Më pas është ndarë dhe ish-bashkëshortja dhe djali jetojnë prej shumë vitesh në Greqi, ndërsa Vladimiri nuk ka asnjë kontakt. “Unë jam ndarë nga bashkëshortja, po bëj 20 vjet vetëm. Po bëj 20 vjet që jetoj në këto ganxha. Kam punuar dhe më hoqën nga puna. Kam që në vitin 2008 në këtë vend. Jetoj vetëm me 25 mijë lekë të vjetra asistencë. Unë rri ditë e natë shtrirë, nga e keqja. Ky vendi këtu ka qenë banjo. Vendin ma dha bashkia se nuk kisha ku të rrija. Kushtet janë shumë të këqija. Edhe qeni nuk rri ashtu” vijon Tahiraj, ndërsa tregon edhe vendin ku fle dhe ha.

“Unë po pata gatuaj. Në bashki nuk ta fishkëllen njeri. Nuk të jep asnjë dhomë. E kam takuar 5 herë kryetarin. Ja çfarë kam gatuar sot, kaçamak. Bukë me vaj dhe ujë si i thonë. Ja kaçamaku me bukë (tregon tenxheren). Shkoq bukën dhe e lyen me pak vaj kikirik dhe ujë. S’ka trahana. Bukën ma jep një i furrës. Këto të tjerat janë ato që mbaj qirinjtë, se s’ka as drita. Vendi është shumë i ftohtë, rri brenda në batanije. Unë dal nga dhoma nga ora 12.00, futem në orën 4 ose 5 brenda”, thotë 65-vjeçari. Ai thotë se në burg ishte 100 herë më mirë, pasi kishte për të ngrënë, pirë dhe për të fjetur. Në fund, pyetjes se çfarë do të bëjë, thotë “Do vdes aty!”.