Tomorr Brahushi, është një prej lypësve që takon në Durrës pothuajse në çdo stinë.

35-vjeçari me një kuti në dorë kërkon lëmoshë nga qytetarët. Endacaku 35-vjeçar ka kaluar një jetë të trishtë midis përbuzjes, skamjes, diskriminimit, mungesës së ngrohtësisë familjare dhe dashurisë që i jep familja.

Tomorri u braktis nga nëna biologjike në maternitetin e Elbasanit, në 16 nëntor të vitit 1983. Deri në moshën 6-vjeçare ka qëndruar në shtëpinë e fëmijës në qytetin e Vlorës, e më pas u birësua nga çifti, Shpëtim dhe Kristinë nga Lushnja.

Prindërit adoptues humbin jetën njëri pas tjetrit, 35-vjeçari nuk gjeti mbështetje tek askush dhe i sëmurë e pa asnjë ngrohtësi familjare u kthye në lypës që shëtit nga një qytet në tjetrin.

Për të fjetur, fle në godinat e pallateve të rrënuar, lahet tek miqtë e tij romë dhe ushqehet ku të mundet. Tentoi të krijojë familje, por u divorcua shumë shpejt. Me vite ka kuptuar që pritjet e tij gjinore janë të ndryshme nga gjinia që përfaqëson.

Tomorr Brahushi është një prej jetimëve. i cili përfaqëson kategorinë e atyre fëmijëve të braktisur nga nënat pa e njohur dashurinë e tyre.

Jetimët sot përbëjnë kategorinë më vunerabël të shoqërisë. Pa përkrahje, dashuri, mbështetje nga askush, ata bien pre e padrejtësive, diskriminimit dhe veseve.

K.H.