Shume shpejt do te nisin gjobat edhe per kembesoret qe nuk respektojne rregullat e Qarkullimit Rrugor. Lajmin e ka bere me dije Policia Rrugore e Tiranës, e cila në vijim të masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, rritjes së parametrave të sigurisë në rrugë, si dhe nga analiza e bërë shkaqeve të aksidenteve të ndodhura ditët e fundit, ka hartuar një Plan të ri masash.

Ne kete plan te ri, janë përcaktuar:

• Planimetria e vendosjes së shërbimeve,

• Mënyra e kombinimit të radarëve në akset rrugore të brendshme por edhe në akset nacionale që lidhen me Tiranën me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara,

• Koordinimi i shërbimeve me Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat duke evidentuar dhe ndëshkuar në kohë, në çdo aks rrugor shkelësit e Kodit Rrugor ,

• Kontrolli në mënyrë të pandërprerë me aparatin “Drager” për parandalimin e përdorimit të alkoolit gjatë drejtimit të mjetit.

Nisur nga analizimi i rasteve të fundit të aksidenteve, rezulton se kemi një shtim të shkeljes së rregullave të qarkullimit nga këmbësorët.

Në këtë kuadër, në zbatim të Planit Masave të Ri janë hartuar disa detyra shtesë si më poshtë:

• Vendosje e shërbimeve të Policisë Rrugore apo të Patrullave të Përgjithshme, në vendkalimet për qytetarët në pikat ku ka më shumë lëvizje të qytetarëve, por pa lënë jashtë vëmendjes edhe pikat e tjera, me qëllim monitorimin, këshillimin dhe orientimin e qytetarëve për të respektuar rregullat e Qarkullimit Rrugor.

Pas një periudhe të caktuar sensibilizuese e ndërgjegjësuese, Policia Rrugore do aplikojë edhe masat administrative për qytetarët që nuk zbatojnë rregullat e Qarkullimit Rrugor.