Në ambientet e TIC Durrës u zhvillua takimi informues ndërgjegjësues me prindërit në lidhje me rritjen e shëndetshme të fëmijëve, duke promovuar aktivitetin fizik si edhe duke diskutuar rreziqet psiko-sociale dhe fiziologjike të një jete sedentare.

Ky takim u ideua dhe u organizua në bashkëpunim me Shoqatën “Juvenilia 2014 Durrës”, profesorin e edukimit fizik Dr.Francesco Vitobello, doktoreshën mjeke familje, Dr.Jonida Gjini si edhe me kontributin e pdg Prof.As.Dr. Blerina Xhakolli.

Takimi i strukturuar në këtë formë: mundësoi profesionistët e të tre fushave përkatëse (edukimit fizik, mjeksore dhe psiko sociale), të sillnin informacion të vlefshëm për rëndësinë e aktivitetit fizik në jetën e fëmijëve duke nënvizuar edhe rreziqet e një jete sedentare që në fazat e para të zhvillimit.

Prof Francesco Vitobello, njëkohësisht përgjegjës i aktiviteteve sportive të "Shoqatës Juvenilia", deklaroi se këto takime do të bëhen çdo javë me kopshtet dhe shkollat 9 vjeçare për sensibilizimin dhe informimin mbi rëndësinë e aktivitetit sportiv dhe për të luftuar jetën pasive dhe jo sociale të fëmijëve.

"Aktivitete të tilla informuese janë shumë të rëndësishme, pasi bëhet fjalë për jetën e fëmijëve tanë. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm jo vetëm për fëmijët por për të gjitha moshat, ndaj duhet t’i japim rëndësi aktiviteteve fizike. Obeziteti nuk i shërben askujt, madje shkakton pasoja të rënda në shëndetin e fëmijëve. Ndaj sllogani ynë duhet të jetë: "Luftë pa kompromis obezitetit", -theksoi Vitobello.

Profesor Dr.Francesco Vitobello, që nga viti 2014 është në shërbim të fëmijëve durrsak në mënyrë që ata të jenë active, të shëndetshëm dhe më pak sedentarë dhe të lidhur me botën e internetit.