“Implementimi i procesit të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë në spitalet tona, ka sjellë që sot në 5 spitalet universitare të Tiranës të kryhen 35 mijë operacione me instrumentet kirurgjikalë sipas standardeve më të larta europiane, duke përgjysmuar infeksionet spitalore në plagët post-kirurgjikale nga 30 në 15%”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu në takimin ndërsektorial për rezistencën mikrobike, në kuadër të Javës Europiane të Ndërgjegjësimit për antibiotikët.

Brenda mesit të vitit 2018, të gjitha spitalet në vend do kenë në dispozicion rreth 6 mijë lloje instrumentesh dhe rreth 96 mijë instrumente kirurgjikale, që do të rrisin imunitetin ndaj infeksioneve për 50 mijë pacientë që u nënshtrohen operacioneve çdo vit.Ulja e infeksioneve spitalore rrjedhimisht përkthehet në pakësimin e nevojës për antibiotikë, e për pasojë, në frenimin e rezistencës ndaj antibiotikëve. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parandalimi dhe kontrolli efektiv i infeksioneve mund të shmangë 1 në çdo 3 infeksione spitalore dhe mund të pakësojë përdorimin dhe rezistencën ndaj antibiotikëve.

Përdorimi i pakujdessshëm i antibiotikëve dhe lufta kundër antibiotikorezistencës është një shqetësim panbotëror. Sepse rezistenca ndaj antibiotikëve përbën një nga kërcënimet më serioze për shëndetin në nivel global dhe njëherësh, një sfidë për sistemin shëndetësor, që mbart me vetvete dhe një kosto financiare të konsiderueshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për këtë çështje prej kohësh. Të dhënat tregojnë se në Europë rreth 25.000 pacientë vdesin çdo vit si pasojë e infeksioneve, të cilët nuk mund të trajtohen me antiobiotikë për faktin e rezistencës së krijuar ndaj tyre.

Shqipëria ka një konsum të antibiotikëve të përafërt me vendet e rajonit por edhe me vendet e bashkimit Europian, (22.7 doza për 1 mijë banorë), por të dhënat tregojnë se rezistenca ndaj antibiotikëve po kthehet në kërcënim serioz, edhe në vendin tonë.

Një studim i kryer me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën dhe Zyrës së OBSH-së në Tiranë tregon se në Shqipëri është rritur rezistenca ndaj të paktën 4 antibiotikëve, sa i takon patogeneve ushqimore si salmonela, të cilat sjellin problematika të theksuara shëndetësore.

Sipas znj. Manastirliu, Shqipëria është pjesë e përpjekjeve globale për adresimin e këtij kërcënimi. Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lufta ndaj antibiotiko rezistencës është një nga fushat prioritare të shëndetit publik. Për të maksimizuar përdorimin e antibiotikëve dhe parandalimin e krijimit të antibiotiko- rezistencës është bërë një punë e rëndësishme nga strukturat tona shëndetësore dhe organizmave të tjerë pergjegjës, ku mund të përmendet aprovimi i ligjit të sëmundjeve infektive një vit më parë nga Parlamenti, ligj i cili reflekton të gjitha direktivat dhe rekomandimet e BE, në të cilin përfshihen dhe nenet e  Sigurisë së pacientit dhe kontrolli i infeksioneve në institucionet e kujdesit shëndetesor apo ndalimi i shitjes pa recetë të antibiotikëve sipas këtij ligji  dhe monitorimi i farmacive.

“Ne do të marrim masa për t’i forcuar kontrollet në zbatim të këtij ligji, por është e rëndëisshme që secili prej nesh të ndërgjegjësohet dhe të mos keqpërdorë antibiotikët, pasi rezistenca ndaj tyre na rrezikon të gjithëve”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.