Ledio Deda është një prej maturantëve absolut të Durrësit. Rezultatet e shkëlqyera në shkencat ekzakte matematikë e fizikë si në olimpiada dhe në provimet e Maturës Shtetërore kanë sjellë frytet e dëshiruara. Ambasada Ruse i ka akorduar bursën e studimeve në një prej universiteteve më me emër. Kjo ka bërë që shkolla të jete krenare për nxënësin e saj.

Në gjimnazin “Ibrahim Kodra”, ku studiojnë nxënës elitarë, Ledio është shquar si sfidant i olimpiadave të organizuara, duke marrë katër çmime të para.

Nxënësi i ekselencës Ledio Deda, nga Katundi i Ri, është modest për arritjet e tij. Ai preferon shumë matematikën dhe fizikën, por ndërkohë nuk harron të vlerësojë edhe punën e mesuesit të matematikës, profesorit Murat Dervishi. Ai është mirënjohës edhe për klimën e ngrohtë dhe mbështetjen që i ka dhënë për arritjet e tij stafi pedagogjik i gjimnazit ku ai studion.

Drejtori i shkollës së mesme jo publike “Ibrahim Kodra”, Jashar Arrëza, thotë se Ledion e shohin të gjithë si nxënësin e shkëlqyer. Atij do t’i akordohet tani një bursë studimi në Shën Petërburg, në Rusi.

Krahas bursës studimore, gjimnazi jopublik “Ibrahim Kodra” i ka akorduar ekselentit Deda 3000 euro në vit për të mbuluar shpenzimet e tjera.

K.H.