Nga Peshkopia erdhi në Durrës për një jetë më të mirë, por babai i dy fëmijëve mbeti në mes të katër rrugëve, krejtësisht i pashpresë. 

Shkëlqim Sina është kryefamiljar, e po të mos ishte për një mikun e tij, së bashku me dy fëmijët e mitur dhe bashkëshorten do të ishte në qiell të hapur. I mbetur papunë dhe pa asnjë të ardhur, familja Sina mbijeton me çfarë i falin të tjerët, në rast se kryefamiljari nuk gjen asnjë punë, qoftë edhe hamall.

Në mes të Ish-Kënetës në një banesë në kushte shumë të vështira pasi nuk e përballon dot qiranë e një tjetre, po rriten djali dhe vajza e tij. Çdo orendi është e falur, dikush një frigorifer, dikush një raft buke, një tjetër divanet dhe kështu është mobiluar ajo që ata e kosiderojnë banesën e tyre. 

Ajo është përmbytur disa herë duke i shtuar edhe më shumë hallet në këtë familje. E sa herë që ka përmbytje, ata strehohen tek fqinjët të cilët iu hapin dyert.

Shkëlqimi është vetëm një prej shumë e shumë kryefamiljarëve të tjerë të cilët gjenden pa asnjë të ardhur në familjet e kësaj zone. Mes kushteve të tilla të vështira, rriten fëmijët e tyre të cilët për t’i ardhur në ndihmë familjes braktisin edhe arsimin e detyrueshëm.

Familja e Shkëlqimit është shembulli i mjerimit dhe fytyrës së mungesës së papunësisë! 

Në këtë rajon të banuar me të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit ka probleme të shumta. Mes të cilave, banorët përmendin papunësinë dhe kushtet e rënda të banimit në dimër mes ujrave të shirave dhe në verë mes mushkonjave dhe erës së rëndë të kanalizimeve të hapura të ujrave të zeza.

K.H.