Nga Gëzim Kabashi

Aktori i teatrit të Durrësit Milto Profi ka ndërruar jetë ditët e fundit në moshën 80-vjeçare. 

Homazhet në nderim të artistit, që realizoi dhjetëra role në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”  do të zhvillohen të enjten në ora 10.00 paradite në hollin e këtij teatri.

Pak vite më parë “DurrësLajm” publikoi një shkrim të gjatë për aktorin Milto Profi, të cilin po e ribotojmë.

MILTO PROFI, AKTORI ME PENGUN E REGJISURËS

-Portret-

Milto Profi është një nga aktorët më të dashur të skenës durrsake në vitet 1960-1980. Mjaft i njohur, veçanërisht për rolet e tij me karakter komik, ai është pjesë e plejadës së artistëve, që kontribuan në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar në periudhën më intensive të veprimtarisë kulturore në Durrës.

75 vjeç, me një jetë që i ngjan skenarit ende të paxhiruar të një filmi, Milto Profi është kthyer këto ditë në qytetin e tij të lindjes për një shqetësim familjar.

Përfitojmë të flasim me Milton për rrugën e tij artistike, që nis në vitet 1950, por edhe për sa ka ndodhur pas viteve 1990, kur ai vendosi të emigrojë së bashku me familjen.

“Lidhja ime me artin, nuk ka kaluar përmes skenës, siç bënin moshatarët e mij, që aktivizoheshin në grupet artistike të shkollave apo të ndërmarrjeve”. Kështu e nis dëshminë e tij për ATSH-në, aktori pensionist, duke u rikthyer në vitet, kur pasioni i tij i vërtetë ishte kinemaja.

“Për të siguruar biletat më duhet të gjuaja peshk në ora 5 të mëngjesit në portin e vjetër. Spalcat, që siguroja nga peshkimi me grep shiteshin menjëherë, dhe në karriket e kinema “Esperia”, e cila më pas u quajt “Iliria” shikoja në ekran filmat italianë, që ende shfaqeshin, por më shumë filmat sovjetikë, gjatë festivaleve që organizoheshin jo vetëm në Tiranë”.

Meraku I teatrit për Milto Profin, ishte provuar të kalavarej si të gjithë të rinjtë e pasionuar në çatinë e teatrit të vjetër, tek ish-kinema “14 nëntori”, atje ku mund të rrezikoje të thyeje qafën për të shijuar aktorët e tu të preferuar.

“Unë kisha një, madje dy motive më shumë për të sakrifikuar edhe rreziqet për teatrin-kujton Milto.

Në vitin 1953, kur u themelua teatri “Moisiu” në skenën e tij u ngjit si profesonist edhe Spiro Urumi, djali I hallës së tij, por edhe Vera Vreshtazi, që shumë shpejt u bë bashkëshortja e Pipit, siç njihej nga durrsakët Spiro Urumi.

Sapo përfundoi shkollën e mesme në Durrës, Milto Profi u regjistrua në Liceun artistik “Jordan Misja”. Po niste edhe një herë shkollën e mesme, për hir të artit.

“Kishim marrë vesh që po formohej Shkolla e lartë teatrale, dhe kjo ishte mënyra më e mirë për t’ju afrua objektivit-shprehet Milto, duke kujtuar se atij iu desh që, për të shfrytëzuar bursën në Lice ti vazhdonte paralelisht studimet edhe në shkollën e re të teatrit. Bashkë me Serafin Fankun, Luigj Gurakuqin, Viktor Bruçetin, Miho Gjinin, etj. e caktuan në kursin e parë të regjisurës. Pedagogë, mjeshtrit Andra Mano, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, etj.

Pa i përfunduar ende studimet Milto Profit i kërkohet të përgatisë një shfaqje në Estradën e Shtetit. “Gjeta dhjetra skeçe në dollapët e arkivës së teatrit të Estradës dhe me to sajova një libret, në bashkëpunim me Aleksandër Banushin.

“Pa prit e pa kujtu” ishte premiera e parë e drejtuar nga Milto Profi, e cila që në titull prezantonte edhe mbërritjen e një regjisori të ri. Në fakt ndodhi tamam ashtu. Profi, u bë regjisor i Estradës shtetit, pasi profesorët e tij e konsideruan shfaqjen si një punë diplome, ndërsa platformën teorike e mbrojti me dramën e Nazim Hikmetit “Kafka”.

75-vjeçari kujton me kënaqësi vlerësimin e spektatorit, por edhe shkrimet në gazetat e kohës për premierën e regjisorit të ri durrsak, i cili më pas vuri në skenë pjesë komedish të mirëfillta, risolli në skenën e estradës mjeshtrin e madh Mihal Popi, por edhe këngëtarët e kalibrit Mentor Xhemali, Xhoni Athanas, Ibrahim Tukiçi, ndërsa nën kujdesin e tij debutoi në Estradën e Shtetit, Koço Devole, një nga aktorët dhe skenografët brilantë të humorit shqiptar.

Bashkë me të, edhe një grup amator mes të cilëve Kujtim Shehu, Vegim Xhani, Vilson Gjoçaj, Taf  Luzha, etj. “konkurojnë” drejt për drejt në skenë artistët profesionistë, duke u bërë shumë shpejt kolegë me ta.

“Kartela e verdhë”, kali i betejës

Misioni i Milto Profit në skenat e kryeqytetit përfundon në vitin 1967, katër vjet pas diplomimit. “Erdha në Durrës, si aktor, pasi pozicioni i regjisorit ishte i zënë-kujton Milto, njëlloj siç mban mend edhe rolin e parë në teatër, një figurant në dramën “Familja e peshkatarit”. I duhej të lëvizte një dritare dhe të imitonte me zë furtunën që e shkundte atë. Sapo kthehej nga detyra e regjisorit të Estradës së Shtetit në Tiranë, por bënte detyrën si aktor figurant në teatrin e qytetit të tij, sikur të ishte roli kryesor i shfaqjes.

Një shembull që nuk e di se sa vlerë ka sot.

Trupmadh, me një të kaluar prej notari dhe atleti, Profi, ishte 30 vjeç, kur filloi të punojë si actor në teatrin e Durrësit. Fillimisht me role në pjesët “Prefekti” e “Martesa”, “Mulliri I Kostë Bardhit”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Çështja e inxhinjer Saimirit”, Milto i rikthehet përkohësisht regjisurës me dramatizimin për fëmijë “Kështjella dhe helmi” me libret të Ismail Kadaresë, e më pas edhe një shfaqje varieteje. Ai gjen një mënyrë tjetër për të mos u larguar nga regjia, që mund të konsiderohet “dashuria e tij e parë”.  MIlto Profi drejton trupat amatore të ndërmarrjeve, duke u bërë bashkë me të rinjtë pasionantë fitues i mjaft flamurëve dhe vendeve të para në festivalet teatrore të ndërmarrjeve.

“Kam punuar me amatorët e NI Gomës, Hekurudhës, Kantinës së Verës, ndërmarrjes komunale, e plot të tjera-thotë Milto, duke kujtuar edhe Anketën muzikore të Pallatit “Rinia”, të cilën e ka drejtuar për disa vite.

Mesi i viteve 70 nënvizon në teatër disa aktorë të talentuar, dhe thuajse njëherazi edhe i godet padrejtësisht ata.

“Kam parë në Durrës aktorin që luan Fonin te “Kartela e verdhë”, më thonte një moshatar i imi, që e kishte parë Milto Profin këto ditë në qytet.

“Në 1975-n Haxhi Rama vuri në skenë komedinë e tij “Kartela e verdhë” dhe dyshja Teli e Foni, që krijuam bashmë me kolegun Mirush Kabashi, u bë mjaft e njohur. “Kemi dhënë gati 400 shfaqje me “Kartelën” në të gjithë Shqipërinë. Pas disa vjetësh jemi kthyer përsëri në turne në të njejtat qytete me të njejtën shfaqje dhe përsëri kemi patur sukses të jashtëzakonshëm-dëshmon Milto Profi, duke shtuar: Me Mirushin kishin punuar përkrah edhe te “Revizori” i Gogolit, me regji të Vangjel Hebës, por “Teli dhe Foni na bënë shumë popullorë”.

Tamam në atë periudhë Milto Profin e largojnë nga teatri për “një budallallëk”, për të cilin sot njerëzit mund të qeshin me lot më shumë se në një shfaqje estrade. Sidoqoftë, Milto Profi punon me të njejtin seriozitet për 18 muaj në fabrikën e Gomës dhe bëhet një nga mjeshtrat e repartit.

Kthehet në teatër dhe luan me Mirush Kabashin atë që u konsiderua “seria e dytë” e Kartelës”. Regjisori dhe libretisti Haxhi Rama me “Lojtari nr 10” rikthente atmosferën e gëzuar të situatave dhe batutave, që qarkullonin jo vetëm në Durrës për dy tifozët e çmendur që hanin sapun vetëm për të mos munguar në stadium.

Milto Profi largohet drejt Greqisë, pak ditë pasi doli në pension. Vendoset në Pire, ku vazhdon të jetojë edhe sot, duke ruajtur të njejtat pasione të vjetra mes të cilave është edhe vera e mirë.

Në çantën e tij, njëlloj si në vitet e teatrit të Durrësit ka gjithmonë një shishe verë të mirë, e gatshme për tu shijuar me miq e shokë.

Në Greqi, Milto Profi bën të gjitha punët që i dalin përpara, por njerën ai do ta nënvizojë.

“Kam punuar dhe punoj bojaxhi, si babai im, Teodori. Gjithmonë kujtoj se ishim pesë fëmijë, dhe bashkë me nënë Zografën na rritën me shumë halle . Madje si unë dhe motrat, Shpresa, mjeke okuliste e Lilika, mercologe, përfunduam shkollat e larta, falë sakrificës së tyre – përfundon MIlto Profi, aktori veteran i teatrit të Durrësit.